Blinken turne në Afrikë, qëllimi i ruajtjes së ndikimit amerikan

schedule09:49 - 22 Janar, 2024

schedule 09:49 - 22 Janar, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të fillojë sot një turne njëjavor në bregun perëndimor të Afrikës, duke synuar të ruajë ndikimin e SHBA-së në kontinentin ku konkurrenca me Rusinë dhe Kinën mbetet e ashpër dhe paqëndrueshmëria në Sahel është më shqetësuese se kurrë.

Kryediplomati amerikan nis sot turneun me një vizitë të shkurtër në Cape Verde përpara se të udhëtojë në Bregun e Fildishtë, Nigeri dhe Angola.

Ky është udhëtimi i tij i parë në Afrikën Sub-Sahariane pas dhjetë muajsh: lufta në Ukrainë dhe lufta Izrael/Hamas monopolizuan lajmet ndërkombëtare dhe interesin e Uashingtonit.

Presidenti amerikan kishte premtuar se do të shkonte në Afrikë në vitin 2023, një angazhim që nuk u realizua. Krahasuar me vizitën e mëparshme të Blinken në rajon në mars 2023, peizazhi politik ka ndryshuar pak.

Në atë kohë, ai vizitoi Nigerin për të mbështetur Mohamed Bazoum, presidentin e zgjedhur të vendit ku SHBA ka dislokuar më shumë se 1000 trupa dhe baza drone si pjesë e luftës kundër xhihadistëve.

Katër muaj më vonë, Bazum u rrëzua me një grusht shteti ushtarak. Regjimi i ri kërkon të diversifikojë partnerët e tij: ushtarët e Francës janë dëbuar nga vendi, ndërsa Niamey po forcon lidhjet me Moskën.

Rusia ka rritur ndikimin e saj në vendet afrikane që flasin frëngjisht vitet e fundit, veçanërisht me praninë e kompanisë private ushtarake ruse Ëagner në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali dhe marrëdhëniet e privilegjuara që ajo kultivon me Burkina Fason.

Situata e sigurisë në Sahel mbetet shqetësuese. Grupet xhihadiste të lidhura me Al-Kaidën ose Shtetin Islamik vazhdojnë të kryejnë sulme vdekjeprurëse në Mali, Burkina Faso dhe Nigeri, tre vende të sunduara nga grusht shteti ushtarak.

Në Niger, amerikanët aktualisht mbajnë bazën dhe trupat e tyre, por Uashingtoni po shqyrton opsione të tjera, veçanërisht në vendet bregdetare dhe më të qëndrueshme.

Në Bregun e Fildishtë,  Blinken pritet të nxisë konsolidimin e demokracisë pasi Alassane Ouattara mori pushtetin në 2011. Që atëherë, vendi ka gëzuar stabilitet relativ, pas krizës së rëndë paszgjedhore të viteve 2010-2011 (më shumë se 3000 të vdekur).

Vendi, i cili është fqinjë me Malin dhe Burkina Fason, ende arrin të bllokojë rrugën ndaj kërcënimit xhihadist. Ngjarja e fundit që përfshin grupe të armatosura është regjistruar në veri të vendit në fillim të vitit 2021.

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), qasja e qeverisë Ouattara ka një aspekt ushtarak dhe ekonomik, duke promovuar zhvillimin e zonave me rrezik të lartë, me theks tek të rinjtë.

Kjo qasje, sipas të njëjtit institut, ka dhënë frytet e saj.

Vitin e kaluar, administrata Biden njoftoi një plan 10-vjeçar për të promovuar stabilitetin dhe për të parandaluar konfliktin në Gana, Guine, Bregun e Fildishtë dhe Togo, vende bregdetare të shënjestruara nga grupet xhihadiste.

Ky plan, i planifikuar fillimisht për t’u fokusuar në një reagim social, u duk se ndryshoi drejtim vitin e kaluar, duke u kthyer në aspektin e sigurisë.Blinken fillon turneun e tij në Cape Verde, një partner i SHBA-së që ka lavdëruar stabilitetin e demokracisë në arkipelagun me gjysmë milioni njerëz.

SHBA ka akorduar për vendin rreth 150 milionë dollarë nëpërmjet dy programeve, të cilat lejuan zgjerimin e portit në kryeqytetin Praia, përmirësimin e rrjetit rrugor, si dhe sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm. Një program i tretë ndihme është në shqyrtim.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!