Blinken: Sulmet befasuese i kërcënojnë bisedimet për armëpushim në Gaza

schedule17:01 - 18 Shtator, 2024

schedule 17:01 - 18 Shtator, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se përshkallëzimet befasuese kërcënojnë dështimin e përpjekjeve për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vlerësuar shpërthimet e pejxherëve – pajisjeve të telekomunikimit me valë – të martën në Liban, për ta cilat u akuzua Izraeli.

Ai i bëri këto komente në Egjipt, ku ndodhet për bisedime rreth negociatave për armëpushim në Gazë, si dhe për marrëdhëniet SHBA-Egjipt.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Egjiptin, janë duke punuar për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim, gati një vit pasi shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Këto vende janë duke bërë përpjekje gjithashtu edhe për t’i ulur tensionet, pasi liderët izraelitë kanë kërcënuar me përshkallëzimin e veprimeve ushtarake kundër Hezbollahut në Liban.

“Vazhdimisht, kur SHBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë ndërkombëtarë besojnë se po shënojnë përparim për arritjen e marrëveshjes për armëpushim për luftën e Izraelit dhe Hamasit në Gazë, ne shohim një ngjarje që e bën përparimin edhe më të vështirë, që mund ta pengojë atë”, tha Blinken, i pyetur për shpërthimet e djeshme në Liban.

Shpërthimet e njëkohshme të pejxherëve – të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut në Liban, i vranë 12 njerëz, përfshirë një fëmijë, të martën.

Izraeli nuk ka folur publikisht nëse është përgjegjës apo jo.

Blinkeni foli edhe për vrasjen e gjashtë pengjeve izraelite nga Hamasi në fillim të këtij muaji në Gazë.

Në kohën kur erdhi lajmi për vrasjen e gjashtë pengjeve, negociatorët kishin arritur përparim për kohën dhe hollësitë e një marrëveshjeje këmbimi, sipas të cilës do të liroheshin pengjet në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, tha Blinken.

Blinkeni i përsëriti të mërkurën komentet e administratës së SHBA-ja ende është duke mbledhur informata për rrethanat e sulmeve me pejxherë, duke mos dhënë më shumë hollësi.

Ai mbajti takime me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattaf el-Sissi dhe me ministrin e Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!