Blinken: Pasoja masive për Rusinë nëse pushton Ukrainën

schedule22:37 - 5 Janar, 2022

schedule 22:37 - 5 Janar, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi të mërkurën, se Rusia duhet të largojë presionin ndaj Ukrainës nëse dëshiron progres, pasi ai rikonfirmoi një paralajmërim për “pasoja masive” në rast të pushtimit.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zhvillojnw bisedime javën e ardhshme në Gjenevë pasi Moska grumbulloi dhjetëra-mijëra trupa në kufirin ukrainas dhe i kërkoi Perëndimit garanci kundër zgjerimit të aleancës së NATO-s.

Nëse bisedimet “do të tregojnë përparim të vërtetë, kjo do të kërkojë depërshkallëzimin”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Duke vënë në dukje shpresat e Rusisë për përparim në fusha të tilla si kontrolli i armëve, Blinken tha se “është shumë e vështirë të bësh përparim aktual në ndonjë nga këto fusha në një atmosferë përshkallëzimi dhe kërcënimi me një armë të drejtuar nga koka e Ukrainës”.

“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se agresioni i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të kishte pasoja masive dhe kosto të rënda si përgjigje”, tha Blinken.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, duke bërë vizitën e saj të parë në Uashington që nga marrja e detyrës, u pajtua me nevojën për “pasoja të rënda” nëse Rusia sulmon Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë në mosmarrëveshje për vite me radhë mbi projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, i cili do të hapë dhe dërgojë gazin rus drejtpërdrejt në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Nga këndvështrimi ynë, është shumë e vështirë të shihet që gazi që rrjedhë përmes atij tubacioni, të bëhet operacional, nëse Rusia vazhdon agresionin e saj”, tha sekretari Blinken, raporton agjencia AFP.

Edhe pse prodhoi kritika në vend, administrata e Presidentit Joe Biden ka refuzuar të vendosë sanksione mbi gazsjellësin Nord Stream, duke thënë se ishte praktikisht i përfunduar.

Por administrata amerikane vitin e kaluar arriti një marrëveshje në të cilën Gjermania premtoi ndihmë për Ukrainën dhe paralajmëroi Rusinë kundër përdorimit gazsjellësit për avantazhe gjeopolitike.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e pyetur nëse Gjermania ishte gati të anulonte gazsjellësin, tha vetëm se qeveria e re mbështeti marrëveshjen e vitit të kaluar me Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e re “u pajtua që ne të marrim masa efektive së bashku me partnerët tanë evropianë nëse Rusia përdor energjinë si armë,” tha ajo.