Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken paralajmëroi sot kundër shpërthimit të “konflikteve të reja” në Siri, disa ditë pasi rebelët islamikë rrëzuan Bashar al-Assad.
Duke folur nga Jordania, ku zhvilloi bisedime për situatën në Siri, Blinken iu referua veprimeve ushtarake turke dhe izraelite në tokën siriane në ditët e fundit.
“Për sa i përket shumë aktorëve që kanë interesa reale në Siri, është gjithashtu shumë e rëndësishme, në këtë kohë të veçantë, të sigurohemi që të mos shpërthejnë konflikte të reja”, tha ai.
Duke komentuar mbi bombardimet e ushtrisë izraelite të depove të armëve, Blinken tha se Izraeli nuk dëshiron që pajisjet e ushtrisë siriane të bien “në duart e gabuara”, si ekstremistët apo terroristët.
Sekretari amerikan, i cili do të takohet nesër në Turqi me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, tha gjithashtu se ndërsa PKK është një kërcënim i vazhdueshëm për Ankaranë, në të njëjtën kohë “ne duam të shmangim ndezjen e konflikteve të reja”. Ai shtoi se milicia kurde siriane SDF (Forcat Demokratike Siriane) e mbështetur nga SHBA-ja luajti një rol kyç në betejën kundër Shtetit Islamik./abcnews.al