Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu të mërkurën “keqardhjen” që Kina refuzoi një takim të mundshëm mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin me Ministrit kinez të Mbrojtjes Li Shangfu.
Gjatë një konferencë shtypi në Suedi, zoti Blinken përsëriti rëndësinë e ruatjes së linjave të rregullta e të hapura të komunikimit, me Pekinin.
“Gjëja më e rrezikshme është të mos komunikosh”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.
Të hënën mediat njoftuan se Kina ka refuzuar një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për një takim mes shefave të mbrojtjes gjatë punimeve të një forumi vjetor mbi sigurinë në Singapor këtë fundjavë, një sinjal i ri i tensioneve mes dy vendeve.
Ndërkohë të martën Pentagoni njoftoi se një avion luftarak kinez kreu një manovër “të panevojshme agresive” pranë një avioni ushtarak amerikan që po fluturonte mbi detin e Kinës Jugore, në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Incidenti rriti edhe më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit.
“Piloti kinez ndërmori veprime të rrezikshme duke iu afruar aeroplanit shumë, shumë pranë”, tha zoti Blinken, duke shtuar se ka pasur një sërë veprimesh të tilla që Pekini ka ndërmarrë, jo vetëm ndaj Shteteve të Bashkuara, por edhe në vende të tjera.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tensionuara, me fërkime për gjithçka, nga Tajvani, problemet me respektimin e të drejtave të njeriut në Kinë, deri tek aktiviteti ushtarak i Pekinit, në Detin e Kinës Jugore./VOA