Blinken dhe Kuleba drekojnë në një piceri të veteranëve të luftës në Ukrainë

schedule22:22 - 14 Maj, 2024

schedule 22:22 - 14 Maj, 2024

Anthony Blinken dhe Dmytro Kuleba, kanë drekuar këtë të martë në Kiev në një piceri të veteranëve ushtarakë të luftës me Rusinë.

Kuleba u takua me Blinken në hyrje të picerisë, ku u përshëndetën me njëri-tjetrin me një përqafim dhe hëngrën pica për 40 minuta. Gjatë asaj kohe, në hyrje të restorantit kishte roje të armatosura.

 “Si njohës i picave, si shumica e amerikanëve, mendoj se pica këtu është e shkëlqyer. Unë e rekomandoj shumë atë!”, tha Blinken.

Vizita e befasishme e sekretarit amerikan të shtetit synon të sigurojë Kievin për ndihmën ushtarake të Uashingtonit, e bllokuar prej disa muajsh për shkak të mosmarrëveshjeve midis qeverisë dhe opozitës në Kongresin amerikan.

Gjatë vizitës së mëparshme në Kiev në shtator të vitit të kaluar, ministri amerikan ishte me Kuleb në “McDonald’s” për të mirëpritur kthimin e kësaj marke në Ukrainë pas mbylljes së saj në fillim të pushtimit rus në shkurt 2022.

Kuleba i tha Blinken këtë të martë se “disa njerëz e kritikuan atë në rrjetet sociale sepse të çova në McDonald’s, jo në një restorant ukrainas. Pra, ne po korrigjojmë situatën dhe po e plotësojmë McDonald’s-in me një piceri që është themeluar nga veteranë ukrainas dhe është kthyer në një vend legjendar”.

Kështu që këtë herë zgjedhja ra në picerinë e zinxhirit “Veterano Piža”, e cila u themelua në vitin 2015 nga një ukrainas që luftoi kundër separatistëve pro-rusë, të cilët mbështeteshin ushtarakisht nga Moska në lindje të vendit.

Pas drekës, Blinken eci nëpër rrugët e mbushura me gështenja të lulëzuara në një kafene ku u takua me përfaqësues të shoqërisë civile ukrainase.

Gjatë shëtitjes së tij të shoqëruar nga gazetarët, Blinken ndaloi për pak kohë në sheshin qendror Maidan përpara një monumenti të improvizuar për ushtarët ukrainas të vrarë gjatë pushtimit rus, mijëra flamuj të vegjël blu dhe të verdhë të Ukrainës të mbërthyer në lëndinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!