Zyrtarët kryesorë amerikanë të sigurisë kombëtare do të takohen këtë javë me aleatët kryesorë në Gjirin Persik dhe Evropë për të parë se si përfundimi i luftës në Afganistan mund të riformësojë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin po zhvillojnë të dielën udhëtime të veçanta në Gjirin Persik. Ata do të bisedojnë me udhëheqësit që janë qendrorë në përpjekjet e SHBA-së për të parandaluar një ringjallje të kërcënimeve ekstremiste në Afganistan, disa prej të cilëve ishin partnerë në luftën 20-vjeçare kundër talebanëve.
Si vizita e zotit Austin ashtu edhe ajo e zotit Blinken kanë për qëllim të sigurojnë aleatët e Gjirit Persik se vendimi i Presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund luftës në Afganistan për t’u përqëndruar më shumë në sfidat e tjera të sigurisë si Kina dhe Rusia, nuk nënkupton braktisje të partnerëve amerikanë në Lindjen e Mesme.
Ushtria amerikane ndodhet në Gjirin Persik prej dekadash të tëra, përfshirë me selinë e Flotës së 5-të të marinës në Bahren. Presidenti Biden nuk ka sugjeruar tërheqjen e këtyre trupave, por sikurse administra pararendëse ajo e zotit Trump, e ka quajtur Kinën prioritet numër 1 të sigurisë, së bashku me sfidat strategjike që vijnë nga Rusia.
“Nuk ka asgjë që Kina ose Rusia nuk do të donin më shumë në këtë garë sesa që Shtetet e Bashkuara të vazhdonin të ishin të zhytura në një dekadë tjetër në Afganistan”, tha Presidenti Biden në fjalimin e trupat e fundit amerikane u larguan.
Duke njoftuar udhëtimin e tij për në Gjirin Persik, zoti Austin tha në një konferencë shtypi në Pentagon se qëndrimi i fokusuar në kërcënimet terroriste do të thotë përpjekje e pamëshirshme kundër “çdo kërcënimi për popullin amerikan nga çdo vend”, edhe pse Shtetet e Bashkuara vendosin një fokus të ri në sfidat strategjike që paraqet Kina.
Zoti Blinken udhëton për në Katar dhe gjithashtu do të ndalet në Gjermani për të vizituar të evakuuarit afganë në bazën ajrore Ramstein të cilët janë në pritje të lejeve për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Po në Gjermani zoti Blinken do të marrë pjesë në një takim takim virtual me homologë nga 20 vende partnere.
“Sekretari do të përcjellë mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara ndaj qeverisë gjermane, një partner i paçmuar në Afganistan për 20 vitet e fundit dhe për bashkëpunimin gjerman në operacionet e evakuimit nga Afganistani”, tha të premten zëdhënësi Ned Price.
Zoti Austin planifikon të fillojë udhëtimin e tij duke falënderuar udhëheqësit e Katarit për bashkëpunimin gjatë evakuimit nga Kabuli. Përveç lejimit të përdorimit të bazës ajrore al-Udeid për përpunimin e evakuuarve, Katari ra dakord të priste misionin diplomatik amerikan që u tërhoq nga Kabuli në fund të luftës. Katari ka ofruar gjithashtu ndihmë për të rihapur aeroportit e Kabulit në bashkëpunim me talebanët.
Në ndalesën e tij në Bahrein, zoti Austin planifikon të flasë me marinsat të cilët kaluan javë në aeroportin e Kabulit duke kryer një evakuim të furishëm e të rrezikshëm. Njëmbëdhjetë marinsa u vranë dhe 15 u plagosën gjatë një shpërthimi vetëvrasës në aeroport më 26 gusht. Gjithësej si pasojë e sulmit u vranë 13 anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan dhe shumë civilë afganë.
Shefi i Pentagonit planifikon të vizitojë gjithashtu Kuvajtin dhe Arabinë Saudite si dhe të takohet me udhëheqës të lartë në një rajon që ai e njeh mirë si një gjeneral i ushtrisë në pension dhe ish-kreu i Komandës Qendrore amerikane me përgjegjësinë për të gjitha operacionet ushtarake atje./VOA