“Blindohet” QSUT, pas infektimit me COVID Dritan Dajti dërgohet në Infektiv! Anulohet vizita e Shullazit

schedule11:19 - 1 Shkurt, 2021

schedule 11:19 - 1 Shkurt, 2021

Dritan Dajti i cili u prek pak ditë më parë nga COVID është transportuar nga spitali i Burgut drejt Infektivit për të bërë një skaner. Gazetarja Glidona Daci raporton se nga komisariati nr. 4 janë marrë të gjitha masat për transportimin e tij nën masa të shumta sigurie. Ndërkohë përpara spitalit Infektiv ka forca të shumta policie.

Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore. Burime bëjnë me dije se forcat e policisë kishin nxjerrë nga qelia Emiljano Shuallzin i cili do dërgohej në QSUT për të marrë trajtim mjekësor pasi edhe ai ka shfaqur probleme me shëndetin. Por në momentin që kanë marrë informacion për gjendjen e Dritan Dajtit i cili duhej të dërgohej me urgjencë në Infektiv e kanë anuluar vizitën e Shullazit i cili është rikthyer sërish në qeli.

Në nëntor të vitit të kaluar Dajti u dërgua në QSUT pasi u operua për një gur në veshka. Ndërsa një vit më parë ai doli nga ambientet e burgut për t’iu drejtuar një klinike dentare në zonën e Ish-Bllokut.

Kjo ngjarje shkaktoi debat të madh publik, ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj firmos disa urdhra largimi në disa hallka drejtuese. Dajti ndodhet pas hekurave për vrasjen e katër efektivëve të policisë./mv.abcnews.al