Blendi Salaj: Përse zgjodha të rikthehem në Shqipëri pas 12 vitesh në SHBA

schedule00:04 - 26 Maj, 2022

schedule 00:04 - 26 Maj, 2022

Gazetari dhe moderatori Blendi Salaj beson ende se vendimi për rikthimin në Shqipëri pas 12 vitesh qëndrimi në SHBA ka qenë i duhuri. Duke folur në “Refleksione” në ABC ai shprehet se, edhe kur ka pësuar zhgënjime pas rikthimit, sërish ai do ta merrte atë vendim po të ishte para së njëjtës dilemë. “Një nga pyetjet që kam marrë më shpesh nga njerëzit është se përse u ktheva nga SHBA, edhe pse unë kam 14 vjet që jam kthyer. Në fakt unë atje isha në një situatë të mirë dhe perspektiva ishte edhe për më mirë. Në Shqipëri do vija e do paguesha shumë më pak. Por vendosa të isha më afër familjes sime dhe të bëja profesionin tim që kisha shumë pasion- radion. E bisedova me shokë e miq, dhe me prindërit. Nëna ime donte të më kishte pranë. Ajo ishte sëmurë dhe ajo donte që të isha me të dhe unë doja vërtet që të mos e braktisja në ato çaste të vështira”, tha Salaj.

Sipas tij, Shqipëria e vitit 2008 ishte më optimiste se sa sot.  Ai veçon problemin e korrupsionit, një problem që bën këdo të mendohet gjatë nëse vendos për t’u kthyer në Shqipëri pasi është shkolluar apo pasi ka ndërtuar një jetë larg Shqipërisë. “Emigrimi shpesh është një akt shprese, për të rregulluar fëmijët dhe se familja e tij nuk do të jetë viktime e humoreve trishtuese, siç ndodh shpesh në Shqipëri.  Ka një tjetër ndjesi Shqipëria, por këtë ndjesi të vendlindjes mund ta kuptojë vetëm dikush që ka emigruar. Ata që nuk kanë ikur kurrë nga ky vend nuk e kuptojnë kthimin në shtëpi, në vendin tënd”, tha Salaj në “Refleksione”. Ai ka bërë thirrje që njerëzit mos të shohin vetëm paratë në bankë, makinën e shtrenjtë apo shtëpinë e shtrenjtë, pasi, sipas tij, ne jetojmë vetemë një herë, dhe pak rëndësi ka se sa para kemi në bankë, apo se sa e shtrenjtë është makina dhe shtëpia. “Unë besoj se jeta është më shumë se kaq dhe falenderoj Zotin që më ka shtyrë drejt kësaj zgjedhjeje”, tha Salaj.

Gjatë rrëfimit të tij për rikthimin te pasoni i tij për radion, për gazetarinë, ai shpreh trishtimin dhe revoltën që ambienti i medias nuk është përmirësuar dhe që nga informim për publikun duket sikur është në kontroll të publikut. “Fatkeqësisht thënia e së vërtetës ka qenë gjithnjë një akt i rëndësishëm.  Unë dua që t’i heq kapelen atyre djemve dhe vajzave që kanë guxuar t’i thonë të vërtetat dhe fatkeqësisht këto profesionistë nuk janë pjesa e atyre që shpesh darkave na mbushin mendjen me dokrra nëpër ekrane televizive. Unë besoj se ka ende hapësira për të thënë të vërtetën”, tha Salaj, sipas të cilit, beteja për të vërtetën do të jetë sfiduese, pasi  do të vijojë të ketë shumë grupe interesi që nuk do duan që Shqipëria të ndryshojë, edhe pse shumica e qytetarëve duan që gjendja të ndryshojë, që të mos e kenë fokusin te emigrimi.

Salaj ka kujtuar gjithashtu edhe fuqinë që kanë qytetarët përmes protestës, përmes mospranimit të së keqes, të së padrejtës, të cilën duhet ta vijojnë sa herë besojnë se ajo është në të mirë të shoqërisë. “Një shprehje thotë se ‘e keqja në një vend vjen kur të mençurit të mos bëjnë asgjë’. Unë kam qenë në shumë protesta, të natyrës mjedisore, politike, apo kundër qeverive kur kam qenë i bindur se nuk po bëjnë atë për të cilën janë votuar, atë që u kanë premtuar qytetarëve”, tha Salaj në “Refleksione” në ABC. Ai ka ftuar qytetarët që të mos i shohin protestat nga numri i pjesëmarrësve, por nga kauza, nga qëllimi. Ndërkaq, nuk ka harruar të theksojnë lidhjen e fortë me librin, si një nga rrugëtimet e mëdha për të njohur veten, për të ditur se e qeshura dhe e qara janë kufijtë më domethënës njerëzorë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!