Bjellorusia miraton projektligjin për dënimin me vdekje për tradhti të lartë

schedule14:52 - 22 Shkurt, 2023

schedule 14:52 - 22 Shkurt, 2023

Dhoma e Ulët e Parlamentit bjellorus, miratoi të mërkurën në lexim të dytë një projektligji që parashikon dënimin me vdekje për tradhti të lartë për nëpunësit civilë dhe anëtarët ushtarakë.

Projektligji duhet të miratohet edhe nga Këshilli i Republikës, përpara se presidenti, Alyaksandr Lukashenko, ta nënshkruajë këtë ligj.

Një ndër personat që po përballet me gjyq nën akuza për tradhti të lartë, konspiracion për marrjen e pushtetit dhe krijimin dhe udhëheqjen e një organizate terroriste, është liderja e opozitës, Svetlana Tikanovskaja, e cila po gjykohet në mungesë.

Zgjerimi i aplikimit të dënimit me vdekje tërhoqi vëmendjen e ndërkombetareve.

Masa u miratua në përgjigje të sabotimit hekurudhor, të kryer nga aktivistët bjellorusë për të parandaluar transportin e trupave ruse që pushtuan Ukrainën.

Lukashenko e vuri vendin e tij në dispozicion të Rusisë si bazë për nisjen e “një operacioni ushtarak”, frazë kjo të cilën Rusia e ka përdorur për të justifikuar agresionin kundër Ukrainës, shkruan Insajderi.

Bjellorusia deri më tani nuk ka marrë pjesë aktive në luftime, por krijimi i fundit i një force të përbashkët ka nxitur spekulimet se Moska do të bëjë presion ndaj Minskut që t’i bashkohet operacioneve të saj sulmuese.

Mijëra njerëz janë burgosur në Bjellorusi për arsye politike që kur Lukashenko shtypi një lëvizje proteste në vjeshtën e vitit 2020, pas zgjedhjeve presidenciale që opozita dhe Perëndimi i konsiderojnë të manipuluara.

Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që praktikon dënimin me vdekje. Që kur Lukashenko erdhi në pushtet në vitin 1994, në vend janë kryer më shumë se 400 ekzekutime.

/abcnews.al