Bjellorusia i kërkon Ukrainës të marrë masa për të mos shkelur hapësirën e saj ajrore

schedule08:41 - 11 Gusht, 2024

schedule 08:41 - 11 Gusht, 2024

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë thirri të shtunën të Ngarkuarin me Punë të Ukrainës dhe i kërkoi Kievit të marrë masa për të mos shkelur hapësirën ajrore, pasi Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha se dhjetra dronë ukrainas ishin shkatërruar në hapësirën ajrore bjelloruse, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Në deklaratë, sipas agjencisë Tass, thuhej se nëse Ukraina dështonte të parandalonte përsëritjen e një situate të tillë, Bjellorusia do të vinte në pikëpyetje “nëse do të ishte i përshtatshëm” vazhdimi i përfaqësimit diplomatik të Ukrainës në Minsk.

“Pala bjelloruse ka kërkuar masa gjithëpërfshirëse që të mos përsëriten incidente të tilla në të ardhmen të cilat mund të çonin në përshkallëzim të situatës në rajon”, thuhej në deklaratën e cituar nga agjencia Tass.

Më herët, Presidenti Lukasheko tha se forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan të premten “rreth 12” dronë ukrainas pasi kishin shkeluar hapësirën ajrore bjelloruse në rajonin Mogilev në kufi me Rusinë.

Ai tha se dronë të tjerë u shkatërruan pranë qytetit rus Yaroslavl. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishte interceptuar 6 dronë në rajonin Yaroslavl./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!