Biznesmeni në Fier u qëllua 16 herë, brenda “Benz”-it u gjet kallashi dhe pistoleta

schedule09:28 - 24 Tetor, 2021

schedule 09:28 - 24 Tetor, 2021

Policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Demir Backa 57-vjeç.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 16 gëzhoja nga breshëria e autorëve mbi trupin e biznesmenit. “ABC” mëson se brenda makinës së djegur u gjetën një kallashnikov dhe një pistoletë.

Do të jetë e vështirë për grupin hetimor gjetja e provave, pasi makina është shkrumbuar nga flakët. “ABC” ka siguruar pamjet e vendit ku u gjet makina e djegur vetëm pak minuta pas vrasjes në qytetin e Fierit.

Por si u ekzekutua?

Mbrëmjen e djeshme në momentin e atentatit viktima ndodhej në makinën e tij tip “Audi” kur është përballur me një makinë tip “Benz” nga e cila e qëlluan me breshëri plumbash.

Pak minuta pas ngjarjes uniformat blu gjetën në fshatin Daullas të djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se u përket autorëve, që dyshohet se janë larguar drejt Vlorës.

Ndërkohë policia ngriti disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit për të bërë të mundur kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi atentati për të bërë të mundur identifikimin e autorëve./ db/Abcnews.al