Biznesi rrit depozitat me 292 mln euro, shkak pasiguria dhe pagesat buxhetore në dhjetor

schedule07:35 - 12 Shkurt, 2021

schedule 07:35 - 12 Shkurt, 2021

Pasiguritë që ka krijuar pandemia Covid-19 i kanë penguar bizneset të avancojnë me planet e investimeve, duke e ndryshuar sjelljen financiare më shumë drejt kursimeve.

Kjo tendencë së bashku me pagesat të larta që ka kryer qeveria në muajin dhjetor, në formën e shpenzimeve për investime, kanë sjellë rritje në nivelet rekord të depozitave në tremujorin e fundit të vitit, raportoi Banka e Shqipërisë.

Sipas të dhënave zyrtare, stoku totali depozitave ka shënuar rritje vjetore me rreth 7% mesatarisht në tremujorin e katërt, e ngjashme me normën prej 6.8% në tremujorin paraardhës.

Zgjerimi i tyre është udhëhequr nga rritja e depozitave në lekë. Stoku i tyre shënoi rritje mesatare vjetore me rreth 8.7%, duke reflektuar zgjerimin e kredisë për sektorin privat në lekë si dhe aktivitetin e shtuar të qeverisë në këtë periudhë. Depozitat në valutë shënuan gjithashtu rritje, me rreth 5.3% vit mbi vit, pranë mesatares së tremujorit të tretë. Stoku i depozitave në total është shtuar me rreth 36 miliardë lekë në tremujorin e fundit.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, rritja është e përqendruar në muajin dhjetor. Ecuria e depozitave, gjatë kësaj periudhe, evidenton rritjen e lartë të depozitave të bizneseve në lekë, në reflektim të rritjes sezonale të aktivitetit të tyre në fund të vitit, si dhe të pagesave të lidhura me aktivitetin e qeverisë në këtë periudhë.

Të dhënat operative nga Ministria e Financave tregojne se deficiti buxhetor faktik ishte rreth 110 miliardë lekë në fund të vitit 2020, teksa mësohet se rreth 34% e tij, ose më shumë se 37 miliardë lekë, janë ezauruar në dhjetor.

Arben Shkodra, i cili drejton Bashkim e Prodhuesve Shqiptarë, pohon se tendenca për të kursyer është rritur gjatë pandemisë, pasi shumica e bizneseve janë të paqartë me çfarë do të ndodhë dhe për më tepër kanë frikën e një karantine tjetër.

Depozitat e individëve shënuan gjithashtu rritje të konsiderueshme, të mbështetura, ndër të tjera, dhe nga flukset sezonale valutore.

Struktura kohore e depozitave vijon të reflektojë preferencat për mbajtjen e mjeteve monetare në formë likuide. Depozitat pa afat përbëjnë rreth 51.8% të stokut total të depozitave në sistemin bankar, rreth 1.6 pikë përqindjeje më shumë se në fund të tremujorit të kaluar. Ndërkohë, depozitat me afat maturimi mbi dy vjet shënuan reduktim të peshës së tyre ndaj totalit me rreth 0.3 pikë përqindje për të njëjtën periudhë, duke përbërë rreth 13.1% të stokut total.

Kjo ecuri është diktuar nga reduktimi i normave të interesit për këtë kategori dhe nga pasiguria e shtuar. Normat e interesit të depozitave në lekë kanë rënë më tej, në një mesatare prej 0.54% në tremujorin e katërt, si rrjedhojë e normave më të ulëta të interesit për depozitat afatgjata.

Stoku i depozitave arrin në 9 mld euro më 2020

Depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2%. Kjo është rritja më e lartë që prej vitit 2011.

Tendenca e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë.

Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku.

Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Në monedhën vendase janë rritur si kursimet e individëve, ashtu dhe ato të korporatave financiare, por mbi 90% e parave janë vendosur në llogari rrjedhëse, kryesisht për shkak të interesave të ulëta që ofrohen për kursimet afatgjata. Edhe për valutën, rritja ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të vendosjes së parave në llogaritë rrjedhëse, si nga bizneset ashtu dhe individët./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!