Nga Erblina Mile
Komuniteti i Biznesit nuk është njohur me draftin për projekt-buxhetin apo ndryshimet fiskale që parashikohen për vitin e ardhshëm. Edhe pse tashmë ato po diskutohen në komisionet parlamentare Nikolin Jaka deklaron se ata ende nuk kanë marrë asnjë informacion konkret.
Kreu i Dhomës së Tregtisë deklaron se qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e biznesit të cilat nuk janë të parealizueshme.
“Këtë vit nuk kemi pasur një draft buxheti apo propozime për ndryshime fiskale, thjesht kemi marrë një informacion se do të ketë një rimbursim për karburantin e fermerëve dhe akoma nuk e kemi të qartë se sa do të jetë ky rimbursim. Ne kemi kërkuar gjëra që janë të mundshme për tu realizuar, qeveria duhet të ketë një raport të lartë në lidhje me sektorët e ekonomisë që kanë performancë më të lartë”, është shprehur Jata.
Dhoma e Tregtisë shprehet se ndryshimet fiskale siç është ulja e naftës për fermerët janë ndërhyrje të vogla dhe kërkojnë të tjera masa për të qenë konkurrent me rajonin. Ndërsa ngre si shqetësim faktin e heqja e TVSH-së për biznesin e vogël do të ndikoj direkt në rritjen e evazionit në vend.
“Ti po e rrit pragun për qarkullimin për aplikimin e TVSH dhe nga ana tjetër po favorizon në mënyrë të drejtpërdrejtë që shumica e bizneseve të ndahen në struktura të veçante për të përfituar nga formula e TVSH”, ka thënë ai.
Disa prej kërkesave të Dhomës së Tregtisë janë mbështetje për turizmin,për biznesin e vogël dhe rishikim të tatimit për të ardhurat mbi pagat mesatare.
Sipas Jakës në këtë moment krize është e domosdoshme mbështetja e shtresës së mesme që ndikon në rritjen e konsumit.
Biznesi shqiptar po përballet me një sërë sfidash për shkak të pandemisë. Ndërkohë që bizneset e vogla rezultojnë më të prekurat.
Sipas Shoqatës së biznesit të Vogël rreth 38 mijë subjekte janë detyruar që të mbyllin aktivitetin gjatë këtij viti./abcnews.al