Bizneset, kujdes me rikthimin e tatimeve

schedule15:47 - 29 Tetor, 2017

schedule 15:47 - 29 Tetor, 2017

Kontrolli për herë të dytë nga tatimet, u ka kushtuar 8 bizneseve në Tiranë deri në mbylljen e aktivitetit. Shkeljet e përsëritura sipas tatimeve, krahas gjobës, sjellin edhe mbyllje të përkohëshme të biznesit, deri në kallëzim penal.

Lokalet apo pikat e tregtimit ku kanë kaluar tatimoret, nuk duhet të mendojnë se ia hodhën me një kontroll. Grupet task –forcë në terren rikthehen tek bizneset që janë kontrolluar dhe shkeljet e përsëritura penalizohen më rëndë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se po vijon me kontrolle në biznese shërbimi apo tregtare për të ulur evazionin dhe informalitetin.
Nga kontrollet në Tiranë, Task-Forca e Hetimit Tatimor thekson se ka hasur në raste kur nuk është lëshuar kuponi tatimor, ka pasur punonjës të padeklaruar apo edhe subjekte të pa licensuara.
Nga kontrollet për herë të dytë, tatimet kanë bllokuar 6 bare dhe restorante për mos lëshim kuponi tatimor (hera e dytë) si dhe dy subjekte tregtare që ushtronin aktivitet të pa licensuar. Nga 265 kontrolle të realizuara 80 prej tyre janë penalizuar, sipas tatimeve.
Nëse moslëshimi i kuponit për herë të parë, i kushton biznesit 50 mijë lekë gjobë, me shkeljen e dytë, krahas gjobës bllokohet aktiviteti për një muaj. Me një shkelje të konstatuar për herë të tretë, biznesi kallëzohet penalisht.
Aksioni kundër informalitetit, i nisur në tetor, pritet të vijojë deri në fund të këtij viti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!