Thomas Strakosha në këtë sezon e ka pasur shumë të vështirë të gjejë vazhdimësinë dhe është goditur rëndë nga infektimi, dëmtimet dhe forma e mirë e Reina, i cili përfitoi nga mungesa e yllit të kombëtares sonë dhe nuk e lëshoi më vendin e titullarit.
Në nisje të këtij viti Strakosha pësoi një dëmtim dhe është në fazën e rikuperimit. Së fundmi ai ka postuar një foto në Instagram, ku shkruan: “Duke u ngarkuar… Asnjëherë mos hiq dorë?”
Në postimin e yllit të kombëtares sonë ka komentuar mamaja e Thomas, Adelina. Sipas saj për Thomas janë shkruar shumë të pavërteta dhe tani ka ardhur momenti i së vërtetës.
“Bisha ime! Të gjitha gënjeshtrat, që janë shkruar për ty kanë bërë gjysmën e e rrugës përqark botës. E vërteta sapo ka nisur”, shkruan ajo në seksionin e komenteve, teksa Strakosha i përgjigjet me simbole zemre, duke i shprehur dashurinë.
Për Strakoshën gjatë ditëve të fundit janë shkruar shumë gjëra, por ajo që ka rënë më shumë në sy është sherr hipotetik me stafin teknik dhe mundësinë e largimit në verë. Mbetet për t’u parë se për cilën gënjeshtër e ka fjalën mamaja. /abcnews.al