Bisedimet për Brexit, Merkel: Shpresojmë të japin rezultat

schedule22:36 - 4 Prill, 2019

schedule 22:36 - 4 Prill, 2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur shpresën e saj se bisedimet mes konservatorëve dhe laburistëve në Britani do të japin një rezultat pozitiv për Breksit. Nga Dublini, ku është takuar me kryeministrin irlandez, Merkel ka përsëritur se BE do të bëjë gjithçka për të shmangur një dalje të çrregullt të Mbretërisë së Bashkuar.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar të enjten se shpreson që bisedimet e kryeministres britanike Thersa Mej me liderin e opozitës të zhbllokojnë ngërçin e Breksit. Merkel ka nënvizuar se një gjë e tillë duhet të ndodhë përpara datës 10 prill, kur Bashkimi Europian do të mbajë një samit të jashtëzakonshëm mbi daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni. Aktualisht procesi i Breksit është përfshirë nga pasiguritë, për shkak se kur kanë kaluar gati tre vjet nga referendumi, marrëveshja e negociuar nga kryeministrja Mej me Brukselin nuk po kalon dot në Parlament. “Shpresojmë që bisedimet intensive në Londër të çojnë në arritjen e një rezultati brenda së mërkurës së ardhshme, një rezultat të cilin zonja Mej duhet të na i prezantojë në mënyrë që ta diskutojmë”, ka thënë Merkel gjatë një vizite në Dublin, ku është takuar me kryeministrin irlandez. Nëse Mej dhe lideri i laburistëve Xheremi Korbin dështojnë në arritjen e një akordi para 10 prillit, atëherë Mbretëria e Bashkuar rrezikon të dalë nga BE pa një marrëveshje më 12 prill.

“Ne si bllok do të qëndrojmë të bashkuar dhe siç e kam thënë edhe më parë, do të punojmë deri në minutën e fundit për të shmangur një Breksit të çrregullt”, ka vijuar Merkel. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!