Krerët e shtetit të Kosovës kanë dalë me qëndrime diametralisht të kundërta sa i takon temave të dialogut me Serbinë. Ndërsa kryeministri Haradinaj ka theksuar se kufijtë dhe territoret duhet të jenë jashtë dialogut, presidenti Thaçi ka deklaruar se, me pëlqimin e Shteteve të Bashkuara ai do ta parashtrojë bashkimin e Preshevës me Kosovën.
Krerët e shtetit të Kosovës kanë qëndrim unik sa i takon nevojës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por jo sa u takon temave që duhet të diskutohen në të. Në përfundim të një seri takimesh të mbajtura të enjten, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se aspektet territoriale nuk duhet të jenë pjesë e procesit të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Ramush Haradinaj: “Dialogu është i rëndësishëm dhe njohja e nevojshme, por dialogu nuk nënkupton ndarjen e territorit dhe unë këtë qëndrim shpreha. Çështja e territorit dhe kufijve është jashtë dialogut. Nuk diskutohet”.
Por nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi, që përfaqëson Prishtinën në bisedime, ka insistuar se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën mund të realizohet pa qenë nevoja e ndarjes apo shkëmbimit të territorit.
Hashim Thaçi:“Po punojmë për një marrëveshje obligative në rrafshin ndërkombëtar që i garanton Kosovës njohjen nga Serbia, që përjashton çdo mundësi të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, por që mundëson që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Besoj se është e mundur. Ndarjen nuk do ta lejojmë për asnjë çmim”.
Duke theksuar se çdo hap i Prishtinës në proces do të bëhet me pëlqimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, Thaçi ka nënvizuar se pavarësisht kundërshtive në radhët e klasës politike kosovare ai do ta parashtrojë çështjen e Luginës së Preshevës në bisedime.
“I pëlqen dikujt apo jo, unë do ta shtroj çështjen e Preshevës që t’i bashkangjitet territorit të Kosovës”.
Kreu i shtetit ka shtuar më tej se, në fund do të jenë qytetarët e Kosovës ata që do të vendosin për marrëveshjen përmes referendumit. Në takimet e zhvilluara të enjten kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, zëvendës kryeministri Fatmir Limaj, ambasadori amerikan Greg Delaëie dhe figura të tjera të qeverisë së Kosovës./abcnews.al