Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Bisedime të reja për çështje të vjetra/ Mediat greke: Në tryezë, “deti” dhe integrimi i Shqipërisë

schedule17:21 - 24 Nëntor, 2025

schedule 17:21 - 24 Nëntor, 2025

Athina po bëhet gati për përballjen politike me Tiranën pas përmbylljes së negociatave teknike të anëtarësimit në 2027.
Shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis, ka hartuar një plan të ri veprimi për marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, që përmban disa nga çështjet më të ndjeshme të axhendës dypalëshe si kufijtë detarë, lidhshmëria dhe bashkëpunimi infrastrukturor–energjetik dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas mediave greke, udhërrëfyesi që do të prezantohet më 16 dhjetor gjatë vizitës së ministres Spiropali në Athinë, rikthen bisedimet për çështjet e pazgjidhura mes dy shteteve, me në krye kufijtë detarë.
Në 2020, Shqipëria dhe Greqia ranë dakord që të paraqisnin mosmarrëveshjen për delimitimin e zonave ekonomike detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende kjo çështje ka mbetur pezull.
Në vizitën e tij të fundit në Athinë në qershor të 2025, ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull, në mënyrë që ato të adresohen në përputhje me rregullat ndërkombëtare.
Ndërsa në Athinë konsiderohet se situata rajonale, veçanërisht projektet energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, po i japin çështjes një shtysë të re për zgjidhje.
Plani i ri i veprimit i kushton një vëmendje të posaçme integrimit europian të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm grek, Gerapetritis, i ka paraqitur homologëve në Bruksel qëllimin e vendit të tij për të ndërmarrë, në kuadër të presidencës greke, një iniciativë që do të përshpejtonte rrugën e shteteve ballkanike drejt familjes europiane.
Athina merr presidencën e Bashkimit Europian në gjashtëmujorin e dytë të 2027, që përkon me objektivat e qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjithë grupkapitujve të anëtarësimit, ose thënë ndryshe, mbylljen teknike të negociatave. Më pas topi do të jetë në fushën e Italisë, e cila do të udhëheqë procesin e zgjerimit në gjysmën e parë të 2028, kur me gjasë do të nisin edhe bisedimet politike të Shqipërisë me shtetet anëtare për të marrë mbështetjen e parlamenteve respektive.
Dhe këtu hyn në lojë Roma dhe kryeministrja Meloni, e cila ka deklaruar se nëse çështjet e mbetura pezull me Athinën do të bëhen pengesë për anëtarësimin e Tiranës në familjen europiane, Italia do të negociojë. Dhe te negociatat politike, ku vendet anëtare diskutojnë edhe çështjet individuale që kanë me Shqipërinë, rritet rreziku i një tjetër rezistence të Athinës, që mund të kthehen edhe në kushte të saj para se ajo të miratojë futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!