“Bisedë konstruktive”, Duma flet pas mbledhjes: Lajm i mirë fakti që kanë nisur diskutimet

schedule18:00 - 18 Tetor, 2022

schedule 18:00 - 18 Tetor, 2022

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka folur për mediet pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj force politike.

Duma tha se  fryma e bisedës ka qenë e paqtë dhe konstruktive nga të dyja palët.

Ajo e shikon si një hap pozitiv faktin që kanë filluar diskutimet mes dy grupeve të opozitës. Deputetja theksoi se një mbledhje mes deputetëve që mbështesin Alibeajn dhe atyre që mbështesin Berishën duhet të zhvillohet sa më parë.

Duma: Unë nuk dua të flas më si palë, ne, ata. Po të përdorim këtë gjuhë, atëherë nuk do flasim për bashkim. Shikoj që fryma e bisedës ka qenë krejtësisht e paqtë dhe konstruktive nga të dy individët e tryezës. Padyshim edhe fryma me të cilën e lashë mbledhjen, është një frymë e sinqertë dhe e vërtetë e Grupit Parlamentar të PD-së, me kujdesin më të madh që ata që janë kontributorë, anëtarë dhe jo vetëm individët që sot janë në krye të degëve por edhe ata që presin lajmin e madh të bashkimit dhe zgjerimit të jenë pjesë konstruktive e këtij procesi, edhe mënyra si do shkohet drejt këtyre primareve është duke u diskutuar në çdo moment. Fakti që kanë nisur diskutimet se kush janë mekanizmat që e maksimizojnë këtë situatë, e quaj një lajm të mirë.

Pyetje: A nuk është momenti që të ketë një takim të përbashkët mes deputetëve të grupit parlamentar të PD-së dhe deputetëve të Berishës?

Duma: Mund të zhvillohet në çdo moment, duhet të zhvillohet në çdo moment. Sot nuk është diskutimi se çfarë bënë grupi parlamentar i PD-së, por nëse ajo që bën çon në shkrirjen e krijimin të njëjtës bashkësi reale në strukturat e PD-së. Të gjitha simbolikat se kur u takuan apo ku, janë më të vogla se sa bashkimi. Të jemi të vërtetë.

Pyetje: A janë pengesë primaret e Berishës?

Duma: Mos gabohem, ne kemi ditët përpara për të nisur primaret. Do të jem për primaret dhe primaret e thella. Se sa thellë primaret do maksimizojnë, varet nga ne se cilat mekanizmat do na çojnë nga listat tek konkurrimi. Të bësh garë reale në një terren ku nuk kandidojnë njerëz me lista të mbyllura por me lista të hapura./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!