“Bisedat që bën Xhavit Qesja me familjarët”, raporti i shefit të seksionit të Vëzhgimit

schedule07:55 - 16 Janar, 2022

schedule 07:55 - 16 Janar, 2022

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret i dy Punëtorëve Operativ të Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Gëzim Bejko dhe Arben Mitre, me planin e kombinacionit për survejimin e përgjimin me teknikë operative të internuarit Xhavit Qesja në qytetin e Shijakut

MIRATOHET “SEKRET’

KRYETARI I DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME EKZEMPLARE Nr.___

REFIK NANAJ Durrës, me 1.5.1987

PLAN – KOMBINACIONI

PËR PËRDORIMIN E MJETEVE TË T. O. TË GRUPIT “AR” NË DREJTIM TË OBJEKTIT XHAVIT QESJA E TAKUESVE TË TIJ.

Nga ana e organit tonë përpunohet në 2/A objekti Xhavit Qesja.

Atij gjatë ditëve të pushimit si dhe të festave i vinë për të takuar shumë persona të afërm të familjes së tij.

Me qëllim për të hedhur dritë mbi pozitën e objektit si dhe të fiksojmë se të cilit karakteri i zhvillojnë bisedat – takuesit më të, do të organizojmë një përgjim me mjetet e T.O.

Për realizimin e këtij përgjimi do të merren këto masa:

Përgjimi do të realizohet rreth orës 13 të datës 1.5.1987, në banesën e tij e cila është e pajisur me mjetet e përgjimit “AR” stacionar.
Punëtori operativ Arben Mitre do të bisedojë me poseduesin e pikës së kontrollit që me datë 1.5.1987, rreth orës 13.00, të na lërë në dispozicion një nga dhomat e banesës se kemi njoftime se mund ta vjedhin.
Në pikën e kontrollit do të rrinë Punëtori Operativ i T.O. Gëzim Bejko dhe Punëtori Operativ që ndjek përpunimin Arben Mitre.
Përgjimi do të vazhdojë për aq kohë sa do të ketë interes operativ.
PUNËTORI OPERATIV PUNËTORI OPERATIV I T.O.

ARBEN MITRE GËZIM BEJKO

Raport-informacioni sekret i Punëtorit Operativ Gëzim Bejko, lidhur me përgjimet e bisedave të bëra nga i internuari Xhavit Qesja, me familjarët dhe të afërmit e tij në qytetin e Shijakut

DEGA PUNËVE TË BRENDSHME “SEKRET”

DURRËS EKZEMPLARË I VETËM

Nr.57 Durrës 5.6.1987

“Ndalohet riprodhimi”

INFORMACION I T.O.

MBI BISEDAT E ZHVILLUARA MIDIS OBJEKTIT XHAVID QESJA ME TAKUESIT MË DATË 1.5.1987 ORA 13.000-20.00

Legjenda:

O – Objekti Xhavit Qesja

T 1 – _____________

T 2 – _____________

Zhvillojnë biseda sporti. Bisedojnë për lojtarin Majaci, Bubeqi, Muça etj. Biseda pa interes operativ. Bëjnë një bisedë të gjatë për futbollin e kombëtares tonë. Në bisedë merr pjesë dhe objekti i cili tregon një njohje të mirë për skuadrën e 17 Nëntorit. Në vazhdim flasin për fëmijët, për filmat, për aktoren Margarita Xhepa, e të birin e saj!

T 1 – Dole sot?

O – Dola me ble sheqer, shkumë me ble bukë.

T 1 – Ne shkumë në Durrës, për sandale

T 2 – Po të reja i ka sandalet kjo.

T 1 – Të reja, por do të tjera!

T 2 – Çfarë numëri i ka?

T 1 – 37

T 2 – Dolën pardje por e vranë.

T 1 – Unë përcolla Takun, ai u ngrit në orën 9.00

O – Në orën 9.00 u ngrit ai. (Pauz)

(Bëjnë fjalë për punët shtëpiake që kanë bërë paradite)

T 1 – (Bën fjalë se ka shkuar tek shtëpia e Besimit dhe ky kishte ditëlindjen e vajzës, biseda pa interes operativ).

Bëjnë fjalë për fëmijët se si duhet të bëjnë flokët, disa thonë se duhet të mbajnë me bishtaleca, e tjera).

Në vazhdim bëjnë fjalë se kanë qenë në një ditëlindje (Takuesi parë), e bën fjalë se fëmijët u përlyen me pasta, e bënin shumë rrëmujë. Më vonë takuesit largohen.

Në orën 20.00 regjistrimi u ndërpre.

Punëtori operativ i T.O.

Gëzim Bejko

Shënimi i funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Shkëlzen Bajraktari, për ministrin e Punëve të Brendshme, lidhur me të internuarin Xhavit Qesja

A mund ta internojmë

në qytetin e Shijakut

më shumë për nënën që

na ka bërë disa lutje?

Shënim për shokun Ministër!

Nga verifikimet e bëra për rrethin familjar të të dënuarit Xhavit Qesja, rezulton se ka këto lidhje:

Nëna e tij, Sabrie, është me banim në qytetin e Durrësit, nga një familje me qëndrim të mirë. Një vëlla i saj është dëshmor, ndërsa nipi i saj, Ramazan Ferra, është ‘Hero i Punës Socialiste’ dhe drejtor ndërmarrje. Babai i Sabires është kushëriri i parë me Xhemal Ferrën (Konti Ferra).
Xhaviti ka tre vëllezër me banim në qytetin e Durrësit, të quajtur: Xhaferr Qesja, A.P. Pensionist. Gruaja e tij, Kadria është A.P. Pensioniste, ndërsa njëri nga djemtë e tij, Iliri, në vitin 1978 është këshilluar për agjitacion e propagandë armiqësore, e aktualisht në kontroll operativ 2/B.
Vëllai tjetër i quajtur Besim Qesja, ish – i dënuar me 1 vit pune korrektonjëse, aktualisht në kontroll operativ 2/B për agjitacion e propagandë armiqësore. Gruaja e tij, është vajza e Xhemal Pengilit nga Kruja, shtresë e pasur e prekur nga reformat e Pushtetit popullor. Aktualisht, Besimi është me punë punëtor.
Vëllai i tretë, Ruzhdiu, është arsimtar po aty, i martuar në një familje me qëndrim të mirë politik. Aktualisht Ruzhdiu jeton së bashku me nënën e tij, Sabirenë.
Një motër e Xhavitit, e quajtur Dëshira Kalaja, banon në Tiranë, e martuar me Gëzim Kalanë, me punë inxhinier, baba i të cilit ka qenë i dënuar për veprimtari armiqësore.
Xhaxhallarët e Xhavitit, të quajtur Mil e Xhemali Qesja me banim në Krujë, prej të cilëve Mili ka qenë i cilësuar kulak.
Xhaviti ka qenë i martuar me të quajturën Meriban Najdeni, A.P. që nga vitit 1941, aktualisht pensioniste në Tiranë, me të cilën ka dy fëmijë. Djali, Shpëtim Najdeni është inxhinier gjeolog, kurse vajza, Mira Najdeni, arsimtare me arsim të lartë. Të dy me qëndrim të mirë moralo – politik.
Meribani është ndarë me Xhavitin, para se ky i fundit të përjashtohej nga Partia. Si familje, me vendim gjykate Nr.156, datë 25.11.1975, kanë ndryshuar mbiemrin nga Qesja në Najdeni.

Gjatë kohës që Xhaviti ka qenë në burg, është trajtuar vetëm nga nëna e tij e quajtur Sabire, ndërsa vëllezërit e gruaja e tij, nuk kanë mbajtur asnjë lidhje me të.

KRYETARI I DEGËS VIII

SHKËLZEN BAJRAKTARI

Tiranë, më 8.1.1987

Raport-informacioni sekret i Shefit të Seksionit të Vëzhgimit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Ilia Bardhi, lidhur me ndjekjen, vëzhgimin dhe përgjimet e bëra ndaj të internuarit Xhavit Qesja

SEKRET

EKZEMPLAR I VETËM

DATË 28 – 29/8/1987

R A P O R T

MBI VËZHGIMIN E OBJEKTIT XHAVIT QESJA I CILI NGA ANA E JONË NJIHET ME PSEUDONIMIN

“G O R I L L A”.

Ditën e parë datë 28.8.1987 – Në Orën 7.00’ filloi vëzhgimi në pritje të ardhjes së objektit në Degën e P. Brendshme.

Në Ora.9.00’ shihet që objekti vjen nga drejtimi i rrugës “A. Goga” i shoqëruar nga gruaja e djalit të Ruzhdiut, vëllait të objektit e si vinë para Degës, këtu gruaja qëndron në pritje, ndërsa objekti shkon e futet në Degën e P. Brendshme.

Në Ora 9.30’ objekti del nga Dega e bashkohet me gruan e djalit të Ruzhdiut e që të dy largohen duke vazhduan ecjen në këmbë në rrugën “A. Goga” e në Ora 9.45’ që të dy futen në shtëpinë e Rruzhdi Qeses, në lagjen Nr. II.

Në Ora 12.05’ shihet që objekti del nga shtëpia e Rruzhdiu i shoqëruar nga djali i Rruzhdiut që të dy së bashku kalojnë në rrugët “I. Qemali”, “B. Çelmeta”, “Xh. Hasa”, “Migjeni” e në Ora 12.15’ futen në poliambulancën qendrore në dhomën ku bënë vizita “Otorinollogu”.

Në Ora 12.35’ objekti së bashku me djalin, dalin nga vizita e kalojnë po në të njëjtat rrugë e në Ora 12.50’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Deri në Ora 21.30’ që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë më. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.

Dita e dytë Datë 29.8.1987. – Në ora 6.30’ filloi vëzhgimi në pritje të daljes së objektit nga drejtimi i shtëpisë së Rruzhdiut?

Në Ora 7.20’ shihet që objekti del nga drejtimi i shtëpisë së Rruzhdiut i shoqëruar nga djali i Rruzhdiut dhe gruaja e djalit të Rruzhdiut e që të tre kalojnë në rrugët “I. Qemali” e në Ora 7.35’ futen në laboratorin e analizave të gjakut e të urinës.

Në Ora 7.40’ objekti i shoqëruar po nga djali e gruaja e djalit të Rruzhdiut, dalin prej këtu e kalojnë po në këtë rrugë e si vinë para shtëpisë së Rruzhdiut këtu gruaja e djalit të Rruzhdiut, ndahet nga objekti dhe shkon e futet në shtëpinë e saj, ndërsa objekti së bashku me djalin e Rruzhdiut kalojnë në rrugën “I. Qemali”, “A. Goga” e në Ora 7.55’ para Degës P. Brendshme, këtu djali qëndron në pritje ndërsa objekti shkon e futet në Degën e P. Brendshme.

Në Ora 9.10’ objekti del nga Dega e bashkohet me djalin e Rruzhdiut e që të dy kalojnë po në rrugën “A. Goga”, “I. Qemali” e në Ora 9.35’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Në Ora 10.50’ objekti së bashku me djalin e Rruzhdiut, dalin nga shtëpia e kalojnë në rrugët “I. Qemali”, “B. Çelmeta”, “Xh. Hasa”, “Migjeni” e në Ora 11.10’ futen në qendrën sanitare.

Në Ora 11.20’ dalin nga qendra sanitare e kalojnë po në këto rrugë e në Ora 11.25’ futen në poliambulancë, këtu objekti vizitohet tek dhoma e vizitave për zemër.

Në Ora 12.35’ objekti del nga këtu së bashku me shoqëruesin e kalojnë në rrugët “Migjeni”, “Xh.Hasa”, “B.Çelmeta”, “I.Qemali” e në Ora 12.50’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Deri në Ora 21.30’ që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë më. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.

U shtyp sipas raporteve origjinale të përpiluara nga grupet e vëzhgimit. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!