Në mesjavë rikthehen duelet e Kupës së Shqipërisë. Partizani u surprizua nga Besëlidhja e Kategorisë së Parë në ndeshjen e parë dhe u largua nga Lezha me një humbje 3-0. Dueli i kthimit për një vend në çerekfinale do të luhet nesër në Elbasan Arena, ora 13:30.
Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka flet rreth gjendjes së ekipit të tij dhe ndeshjen e kthimit me kampionët e Shqipërisë në një prononcim për Panorama Sport. Ambicia në kampin lezhjan është e madhe dhe Noka beson fort se djemtë e tij do të mbërrijnë në finale, gjithmonë nëse e kalojnë me sukses sfidën e nesërme.
“Objektivat madhorë i kemi në kampionat. Së bashku me trajnerin Plori kemi ndërtuar një skuadër me mentalitet kampioni. Edhe pse momentalisht renditemi në vend të dytë, jam mjaft i kënaqur me skuadrën dhe stafin teknik. Kjo skuadër, pas përforcimeve që bëmë në janar, mund të them që është e pandalshme.
Partizani? Jam mjaft i kënaqur, jo vetëm për fitoren e thellë që na jep shanse kualifikimi, por edhe për faktin që doli në pah Besëlidhja e vërtetë. Fitorja 3-0 është një rezultat që na detyron të pretendojmë kualifikimin. Shpresoj që ‘Elbasan Arena’ të na dhurojë fat, sikurse dy sezone më parë. Nëse do të eliminojmë Partizanin, jam i bindur që vetëm në finale do të ndalemi“, përfundon kreu i klubit lezhjan. /abcnews.al