Bimët mjekësorë përfitojnë nga pandemia dhe konflikti tregtar Kinë-SHBA

schedule07:52 - 18 Prill, 2021

schedule 07:52 - 18 Prill, 2021

Fabrika “FilipCo” po punon të paktën 15% nën kapacitetin e kërkesës për produktet e saj që kryesisht janë bimë mjekësore të përpunuara dhe të copëtuara. Filip Gjoka, i cili e zotëron prej vitesh këtë fabrikë dhe njëkohësisht është kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, tha se kërkesa për bimët mjekësore ka shënuar rritje të shpejtë në dy vitet e fundit.

Vitin e kaluar, eksportet e bimëve mjekësore arritën në 5,9 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 16%. Rritja ka vijuar me ritme të larta edhe në dy muajt e parë të vitit aktual, ku vlera e shitjeve jashtë arriti me 911 milionë lekë, me zgjerim 30% nga dymujori i parë 2019.

Zoti Gjoka renditi tre arsye që po krijojnë këtë rritje. E para është pandemia Covid-19, e cila nxiti konsumin e pazakontë të bimëve mjekësore si pjesë e rëndësishme e të ushqyerit shëndetshëm.

Së dyti, konflikti tregtar SHBA-Kinë, që zëvendësoi disa produkte nga Kina me prodhime shqiptare. Gjoka tha se Kina është furnitori kryesor i SHBA me bimë mjekësore, pasi është konkurruese në çmime dhe në sasi. Por konflikti tregtar me vende zhbalancoi eksportin e bimëve mjekësore në SHBA, duke favorizuar edhe më shumë produktet “Made in Albania”.

Së treti, zgjerimi i eksportit po vjen edhe nga rritja e kapaciteteve në përpunim. Subvencionet nga programi i Bashkimit Europian “IPARD Like” janë kanalizuar në përpunim, duke shtuar kapacitetet e prodhimit dhe eksportit. Por zoti Gjoka shprehu shqetësimin se fondet e subvencioneve nuk janë duke u shpërndarë me drejtësi dhe shpesh marrin në konsideratë përkatësinë politike. Kjo përzgjedhje po dëmton konkurrencën në disa nga bizneset më serioze në sektor, tha ai.

Që sektori të rritet më tej duhet bashkëpunim më i madh me prodhuesit, sidomos drejt përdorimit të plehrave kimike. Gjoka tha se prodhimi bio i bimëve mjekësore do të rriste me 50% vlerën e eksporteve të grupit dhe për rrjedhojë, edhe fitimet e fermerëve.

Agroindustria jep sinjalet e rritjes

Dy vitet e fundit, disa sinjale pozitive u dhanë nga rritja e eksporteve të zarzavateve të përpunuara. Në vitin 2020, përgatitjet prej zavratëve shënuan 2,9 miliardë lekë eksporte, me një rritje vjetore 29%. Rritja vijoi edhe në dy muajt e parë të vitit 2021, kur shitjet jashtë vendit të këtij grupi u rritën me 50%.

Alban Zusi, i cili drejton Shoqatën e Eksportuesve dhe një nga operatorët kryesorë të agroindustrisë, u shpreh se rritja e eksporteve po vjen për dy arsye kryesore. E para, për shkak të politikës fiskale të vitit 2014-2018, me TVSH-në. Gjatë kësaj periudhe, agropërpunuesit i blenë prodhimet 14% më lirë dhe patën mundësi të bëjnë investime.

E dyta, një pjesë e madhe e fondeve të BE-së dhe të tjera janë fokusuar si mbështetje për agroindustrinë, duke i dhënë asaj një stimul që ka nisur të reflektohet në eksporte. Zusi tha se, ndryshe nga mallrat e tjerë, produktet e agroindustrisë nuk u ndikuan nga ulja e konsumit në BE. Kjo tendencë bashkë me përmirësimin e brendshëm e kanë favorizuar eksportin e produkteve të agropërpunimit.

Me gjithë këtë përmirësim, agroindustria vazhdon të jetë zinxhiri i këputur i vlerës në sektorin e bujqësisë. Prodhimet e fushës, sidomos ato që teprojnë dhe nuk kanë cilësi të lartë, duke u përpunuar do të shiteshin me çmime shumë të larta dhe në këtë mënyrë, do të rrisnin edhe fitimet për prodhuesit. Zoti Zusi thotë se duhen disa investime që nuk kushtojnë shumë, por mund të rrisin ndjeshëm fitimet në këtë sektor.

Investimet në zinxhirin e përpunimit të perimeve dhe frutave janë të pakta, për shkak të kostove të larta dhe kthimeve të vona të investimeve në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë. Në vitin 2020, vlera e importeve të perimeve dhe frutave të përpunuara ishte 4,9 miliardë lekë, gati 68%% më e lartë se vlera e importit./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!