Dy inspektorë pyjesh dhe një kryeplak fshati kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Në kuadër të operacionit të koduar “Krasta”, është bërë i mundur ndalimi i këtyre shtetasve pasi në qershor të këtij viti janë gjetur dhe asgjësuar 160 bimët narkotike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në zbatim të urdhrit të prokurorit, kanë ndaluar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: një 56 vjeçar me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Gjinarit; , një 45 vjeçar me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Zavalinës dhe 55 vjeçarin, me detyrë kryetar i fshatit Seltë.
Hetimi penal ndaj këtyre shtetasve ka nisur në kuadër të veprimeve hetimore të zhvilluara gjatë operacionit policor të koduar “Krasta”, si rezultat i të cilit, më datë 21.06.2023, në një zonë pyjore të fshatit Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e tij./abcnews.al