Studiuesit kanë zbuluar një zonë të gjerë bimësie nënujore në brigjet e Australisë Perëndimore, me një madhësi të barabartë me rreth 20,000 fusha futbolli. Në fakt, zona është një organizëm i vetëm, që do të thotë se është bima më e madhe në Tokë, por edhe kloni më i madh i gjetur ndonjëherë.
Pas analizës gjenetike, studiuesit arritën në përfundimin se livadhi i madh nëndetës prej 200 kilometrash katrorë në Gjirin e cekët të Sharkës, rreth 800 kilometra në veri të Perthit, është një organizëm i vetëm. Ndoshta ka ardhur nga një farë e vetme të paktën 4500 vjet më parë dhe më pas përmes klonimit të vazhdueshëm ka arritur madhësinë aktuale.
Publikimi në revistën e biologjisë Proceedings of Royal Society B të Shoqërisë Mbretërore Britanike të Shkencave thotë se bima, një specie e Posidonia (Posidonia australis), rritet si bari në tokë me një shpejtësi prej 15 deri në 35 cm në vit. Teorikisht mund të vazhdojë të rritet pafundësisht nëse mjedisi i tij mbetet i qëndrueshëm.
Bima ofron strehim për një sërë speciesh detare , si breshkat, delfinët, peshqit, gaforret, etj., I reziston temperaturave nga 15 deri në 30 gradë Celsius dhe është shumë më e madhe se kërpudhat më të mëdha që gjenden në planetin tonë. Mbajtësi i mëparshëm i rekordit për klonin më të madh ishte një tjetër Posidonia (Posidonia oceanica) që mbulonte 15 km në Detin Mesdhe perëndimor. Poseidoniat janë bimë, megjithëse shpesh gabimisht quhen alga./abcnews.al