Bilanci: Rrjeta e dekriminalizimit kapi 7 deputetë dhe 3 kryebashkiakë

schedule13:30 - 3 Nëntor, 2019

schedule 13:30 - 3 Nëntor, 2019

Ishte data 23 shtator 2014. Deputeti socialist Arben Ndoka grushtoi në korridorin e Kuvendit, Gent Strazimirin, pasi demokrati i kishte drejtuar gishtin e akuzës si i dënuar për prostitucion gjatë seancës plenare.

Nga ky moment, demokratët ndërprënë cdo marrëdhënie me parlamentin, duke akuzar Ramën se i kishte fituar zgjedhjet me 19 kriminelë në parlament.

Ndërkombëtarët ndërmjetësuan krizën politike, e cila u mbyll me miratimin në 17 dhjetor 2015, të ligjit të dekriminalizimit.

Por, përpara se ligji të miratohej, Arben Ndoka dha dorëheqjen. Në 7 shtator 2015, përmes një letre publike sqaroi se ishte dënuar në mungesë për prostitucion, pas një historie të stisur nga e dashurua e të vëllait dhe një polici italian.

Dy muaj më vonë, në 26 nëntor 2015, teksa në parlament diskutohej ligji i dekriminalizimit, mandatin e dorëzoi dhe Mark Frroku. Deputeti ndodhej në paraburgim për deklarim të rremë mbi një atentat që pretendohej se Ilir Meta kishte porositur për të vrarë Tom Doshin.

Pas një sherri me armë në Luginën e Patokut, për të cilën u arrestua, edhe deputeti tjetër socialist Armando Prenga dorëzoi mandatin, në 2 dhjetor 2017.

Edhe pse ligji i dekriminalizimit u miratua në fund të dhjetorit 2015,  viktimat e para të tij, u shënuan një vit më pas.

Elvis Roshi ishte i rënë i parë. Një dënim i fshehur në Itali për përdhunim, i dha fund mandatit të tij si kryebashkiak i Kavajës, në 29 dhjetor 2016. SINK RAMA Edi Rama që kishte dalë publikisht garant për Roshin, u distancua pas vendimit të KQZ-së.

Në të njëjtën ditë me Roshin, KQZ preu edhe kokën e Dashamir Tahirit të PDIU-së dhe Shkëlqim Selamit të LSI-së.

Në 5 janar 2018, pas hetimit të prokurorisë, KQZ shkarkoi për emra të padeklaruar dhe hesape të fshehura me drejtësinë italiane dhe dy deputetë të tjerë, një të LSI-së e një të PDIU-së.

Gjatë vitit  2018 dhe gjysmës së parë të këtij viti, rrjeta e vettingut kapi dhjetra këshilltarë bashkiakë të partive të ndryshme.

Në 30 qershor, Edi Rama zgjodhi një ekip kryebashkiakës, të cilët në shumicën e vendit, nuk patën asnjë rival përballë, pas bojkotit të zgjedhjeve nga opozita.

Në Shkodër Edi Rama rriti menjëherë politikisht Valdrin Pjetrin, të cilin nga drejtues i përgjithshëm i hipotekave, e bëri kandidat për Shkodrën, e më pas largoi Ditmir Bushatin, duke e bërë Pjetrin drejtues politik të të gjithë qarkut Shkodër. (23 korrik) Por shkëlqimi i Pjetrit nuk zgjati shumë.

PD e akuzoi se kishte fshehur një dënim për trafik droge në Itali, por Pjetri e mohoi kategorikisht.

Pjetri dha dorëheqjen në 15 gusht, kur PD publikoi dokumentin italian të dënimit të tij. Po atë ditë, Edi Rama u divorcua prej tij, por, sërish, duke mbrojtur në formën e tij.

Në të njëjtën formë, Edi Rama mbrojti dhe kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, të cilin PD e akuzoi se kishte fshehur një procedim në Greqi me emrin Jorgo Toto.

Por KQZ i hoqi Kajmakut mandatin në 1 nëntor, duke i zbehur shkëlqimin krenarisë kryeministrore.

Socialistët nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi politike për përzgjedhjet e tyre, duke thënë se secili përgjigjet individualisht për veten.

Nën hetim nga prokuroria, është ende kryebashkiaku socialist i Vaut të  Dejës, Mark Babani. Edhe atë, PD e akuzon se ka pasur probleme me drejtësinë italiane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!