Trajneri i kombëtares së basketbollit të meshkujve, Afrim Bilali, ka besim se Shqipëria mund të kualifikohet në eliminatoret e Botërorit. Ai foli për punën e tij dhe shanset e skuadrës, në intervistën e dhënë për ABC News
Prej një viti është në stol dhe arriti suksesin e parë. Afrim Bilali ishte trajneri i Shqipërisë së basketbollit për meshkuj, që fitoi ndaj Qipros, në ndeshjen e dytë paraeliminatore të Botërorit. Shkodrani pati fillimisht një kritikë për lojtarët e tij, në intervistën për ABC News.
“Problematika e fillimit ishte thjesht një nënvlerësim nga ana e lojtarëve. Duke parë lojën e mirë që bëmë në Portugali dhe duke parë lojën jo të mirë që bëri Qipro ndaj Bjellorusisë, hymë me atë vetëbesimin që Qipron e mundim kollaj.
Pas pushimit kuptohet që i ula lojtarët me këmbë në tokë, duke u thënë që kjo lojë është e vështirë dhe jo aq e lehtë sa mendonin ata. Në pjesën e tretë dhe të katërt u zbatuan me përpikmëri të gjitha ato që u kërkuan në pushimin e ndeshjes dhe falë Zotit ia arritëm të dalim me sukses.
Bilali sqaron se në kombëtare janë 8 lojtarë nga kampionati shqiptar, por disa lojtarë si Rej Pullazi nuk mundën të vinin. “Pa dyshim që nëse këtij grupi i bashkëngjiten edhe disa lojtarë që unë i kam pasur në projekt, por për shkak të lëndimeve nuk janë bashkuar me ne, mendoj se kemi shanse për t’u kualifikuar. Portugalia dhe Qipro kanë pasur arsenalin e tyre të plotë në të dyja ndeshjet, kurse ne nuk kemi qenë të plotë”, thotë Bilali në intervistën e dhënë për gazetarin Bledar Kuka.
Pavarësisht besimit për paraeliminatoret, Bilali gjykon se shteti duhet të ndërhyjë, ndryshe basketbolli përfundon keq. “Që një sport të zhvillohet, duhet të nisë që nga koka, që unë mendoj se është shteti. Nëse nuk ka një ligj për sponsorizimin, nëse nuk ka një ligj ku bizneset të kenë interesin e tyre për të sponsorizuar dhe investuar, atëherë është shumë e vështirë që të ecet përpara.
Nëse investohet sot, është prej dashamirësisë së 3-4 biznesmenëve, të cilët duan të kontribuojnë dhe të shohin ekipet e qyteteve të tyre të ecin përpara. Kjo mendoj që shumë shpejt do shuhet, sepse pasioni të çon deri në njëfarë vendi”, shton trajneri i kombëtares shqiptare të basketbollit.
Nga një basketbollist i shquar i brezit të tij, Bilali është sot trajner. “Asnjëherë nuk e kam menduar që kur të lë basketbollin do të shkëputem nga ky sport. Gjithmonë kam punuar dhe kam dashur të jem pjesë e basketbollit. Dëshirën e kam pasur gjithmonë të kontribuoj si trajner. Kuptohet që kjo kërkon kualifikime, duhet të lexosh, duhet të studiosh. Këtë e bëj, madje me shumë pasion”.
Përveçse trajner basketbolli, Afrim Bilali jep edhe mësim në Universitetin e Sporteve në Tiranë, aty ku stërviten dhe mësojnë disa nga ata që mund të jenë yje të së ardhmes. Edhe ky Universitet është pasqyrë e kohës, ende në kushte të vështira infrastrukture, ndonëse ka një projekt për të bërë moderne fushën e futbollit dhe për të ndërtuar pistën e atletikës me tartan me 4 korsi. /abcnews.al