“Bijtë e erës” në Botërorin e atletikës, shkëlqejnë Jackson dhe Lyles në 200 metra për femra e për meshkuj

schedule13:16 - 26 Gusht, 2023

schedule 13:16 - 26 Gusht, 2023

Sërish një mbrëmje e madhe në Hungari. Të dyja garat e 200 metrave në Kampionatin Botëror të atletikës ishin të mrekullueshme.

Për femra, xhamajkania Shericka Jackson arriti rezultatin e dytë më të shpejtë të të gjitha kohëve, 21:41, vetëm 7 të qindat pas rekordit botëror të amerikanes Florence Griffith Joyner.

Xhekson dha rekord kombëtar dhe rekord të kampionatit, duke u bërë gruaja më e shpejtë që jeton sot në rruzull. Kampionia olimpike fitoi medaljen e katërt të artë radhazi në botërorë, ndërsa la pas amerikanet Gabrielle Thomas dhe Sha’Carri Richardson, që triumfoi në 100 metra në Budapest.

Edhe 200 metrat për meshkuj janë për histori, me amerikanin Noah Lyles, që konfirmoi veten si më i shpejti njeri në këtë garë duke arritur titullin e tretë radhazi. Ai fitoi me kohën 19”52, ndërsa mbetet në pretendime se ndoshta mund ta thyejë rekordin që duket I pathyeshëm të legjendës Usain Bolt, me 19”19.

Komentatorët thirrën me të madhe se Lyles nuk mban mend kur ka humbur për herë të fundit, edhe pse dështoi papritur në Lojrat Olimpike në Tokio. Pas tij, amerikani tjetër Nighton dhe Tebogo nga Botsvana.

Në Botërorin e Budapestit konkurroi edhe një kampione që nuk mban mend kur ka humbur për herë të fundit.

Yulimar Rojas e Venezuelës do ta ketë përherë të shkruar emrin me shkronja të arta pasi fitoi titullin e katërt radhazi në kërcim trehapësh. Ia doli në hedhjen e fundit, nën një presion të madh, me 15 metra e 8 centimetra. Të mendosh se kampionia e madhe është vetëm 27 vjeç, pra ka mundësi të fitojë tituj të tjerë. Pas saj u renditën ukrainasja Bek-Romançuk dhe kubanezja Lejanis Perez.

Së fundi, hedhja e shtizës për femra. Titulli botëror u fitua nga atletja më e mirë e vitit në këtë disiplinë, japonezja Haruka Kitaguchi, me distancën 66.73, edhe pse poshtë rezultatit më të mirë të 2023-it. Argjendi u fitua nga kolumbiania Flor Ruiz dhe McKenzy Little e Australisë.

Ndërkaq, SHBA kryeson renditjen e medaljeve me 8 të arta, 8 argjendi e 7 bronzi, e shkëputur në mënyrë të jashtëzakonshme nga shtetet e tjera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!