Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet për ndërtimin e Qendrës së Monitorimit të Trafikut rrugor.
“Kjo është një Qendër Kontrolli e Trafikut ku do të punojnë disa nga skuadrat e institucioneve të ndryshme që kanë lidhje me transportin rrugor. Por, para së gjithash duhet të themi që në fazën e parë ne do të mbulojmë 200 kilometra. 200 kilometra të cilat do të jenë të vendosura pra të gjitha pajisjet tona, sensorët, kamerat dhe gjithçka tjetër do të jenë të vendosura pikërisht në akset kryesore. Ta quajmë këtë dhe si një fazë pilotimi, pastaj me synimin për të arritur 3600 kilometra ndoshta edhe më shumë”, nënvizoi Balluku.
6 agjenci ligj zbatuese dhe kritike do të jenë pjesë e kësaj Qendre, e cila do të nisë fillimisht monitorimin e 200 kilometrave të parë në akset kryesore rrugore të vendit, për të vijuar më tej me hapin e fundit i cili parashikon mbulimin dhe monitorimin e afro 3600 kilometrave.
“Janë 6 institucione të cilat do të operojnë në të njëjtin vend dhe sigurisht sipas fushave të përgjegjësisë do të kenë edhe operimet e tyre. Është shumë e rëndësishme për të thënë që, përveç faktit që do të shërbejë për kontrollin e trafikut, për flukset, për parashikimet se nga duhet të shkojnë këto flukse trafiku, nga ana tjetër duke qenë se Policia e Shtetit do të jetë e vendosur në të njëjtat salla me ne do të ketë mundësinë që të kontrollojë dhe të monitorojë, duke e përdorur kështu këtë sallë të menaxhimit të trafikut për çështjet e sigurisë kombëtare që është shumë e rëndësishme dhe unë besoj që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë duke trajnuar në këto momente edhe personat e duhur që do jenë pjesë e projektit”, deklaroi Balluku.