Rruga Kukës-Shishtavec është kthyer në një kërcenim serioz për udhëtaret dhe drejtuesit e mjeteve. Jo vetëm dhera e inerte, por shkëmbinj të përmasave të mëdha janë shkëputur nga faqet e malit gjatë natës dhe kanë rënë në rrugë.
E mbetur pa mirëmbajtje, për shkak të përfundimit të kontratës të segmentit të parë, por edhe mos kalimit në vartësi të ARRSH të segmentit të dytë, kjo rrugë mbetet në mëshirë të fatit.
Bashkia ka angazhuar mjetet e saj për pastrimin e rrugës deri vonë pas mesnate e për ta rikthyer ne normalitet, por problemi mbetet i pazgjidhur pa sipërmarrje.
Reshjet e shiut nuk shkaktuan probleme vetëm në këtë aks rrugor, por edhe ne disa akse të tjera që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Bajram Currin me Valbonën e disa rrugë rurale në fshatrat e thella. Pa energji elektrike mbeten fshatrat e njësive administrative Shishtavec, Bushtricë, Ujmisht e Grykeçaje, ndërsa po punohet për rikthimin e energjisë. /abcnews.al