Varreza masive e zbuluar ditën e sotme në Përmet nuk i përket ish të përndjekurve në periudhën e diktaturës së komunizmit.
Arta Dollani drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës i tha gazetares së ABC Leontina Nikaj se në bazë të relacionit ka rezultuar se kemi të bëjmë me varre mesjetare që datojnë nga shekulli 3-11.
Grupet janë ende në vendndodhje duke bërë monitorimin e plotë të zonës ndërkohë që në ditët në vijim mund të bëhen edhe gërmime arkeologjike.
Varret u zbuluan nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit. Menjëherë janë njoftuar autoritetet policore të cilët më pas kanë rrethuar zonën. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Njoftimi i Ministrisë së Kulturës
Një varrezë mesjetare zbulohet në Përmet!
Gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit Task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”, dolën në dritë disa varre.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër ndërmori menjëherë pezullimin e punimeve, dhe në datën 07.07.2021 specialistët tanë realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren.
Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar.
Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.
m.v/abcnews.al