Bie popullariteti për Putin

schedule22:51 - 9 Tetor, 2018

schedule 22:51 - 9 Tetor, 2018

Rusët nuk mbështesin më në mënyrë absolute presidentin e tyre. Sipas një sondazhi të fundit të realizuar në Rusi nga qendra e pavarur “Levada”, besimi i rusëve tek Vladimir Putin shënon një rënie prej 9 për qind.

Sipas një sondazhi të fundit të publikuar në Rusi, rezulton se numri i rusëve që e konsiderojnë presidentin Vladimir Putin si politikanin më të besueshëm të Rusisë, ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.

Sondazhi i kryer në periudhën 20-26 Shtator nga qendra e pavarur “Levada”, ka kërkuar nga të anketuarit të listojnë pesë ose gjashtë politikanë që u besojnë më së shumti.

Putini ka dalë i pari me 39%, i pasuar nga ultranacionalisti Vladimir Zhirinovski dhe ministri i Mbrojtjes, Sergey Shoigu, të dy me nga 15% mbështetje. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka dalë i katërti me 10%.

Sondazhi zbuloi se besimi në Putinin ka rënë për 9% që nga Qershori dhe për 20% që nga Nëntori i vitit të kaluar. Putin, i cili ka qenë herë president, herë kryeministër i Rusisë që nga viti 2000, fitoi zgjedhjet presidenciale në Mars, me mbi 76% të votave.

Vlerësimi më i ulët për Putinin, në një sondazh të qendrës “Levada”, ka qenë në Gusht të vitit 2013, kur vetëm 30% e të anketuarve kanë thënë se ai është politikan i besueshëm. Popullariteti i tij është rritur në mbi 80% në vitin 2014, pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina./abcnews.al