Biden zgjedh diplomatin veteran William Burnsin, drejtor të CIA-s

schedule15:17 - 11 Janar, 2021

schedule 15:17 - 11 Janar, 2021

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se ka zgjedhur diplomatin veteran, William Burns, për drejtor të CIA-s.

Burns, 64 vjeç, ish-ambasador në Rusi dhe Jordani, ka karrierë 33-vjeçare në Departamentin amerikan të Shtetit, edhe nën udhëheqjen e presidentëve republikanë, edhe atyre demokratë.

“Bill Burns është një diplomat shembullor me disa dekada përvojë në skenën botërore”.

“Ai ndan bindjen time të thellë se inteligjenca duhet të jetë jopolitike dhe se profesionistët e përkushtuar të inteligjencës që i shërbejnë kombit tonë, meritojnë mirënjohje dhe respekt”, tha presidenti i zgjedhur, Biden.

Është raportuar se Burns ka qenë kandidat për sekretar të Shtetit, porse Biden ka zgjedhur Anthony Blinken në atë pozitë. Nëse konfirmohet nga Senati, Burns do të pasojë Gina Haspelin në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës – CIA.

Në vitin 2012, Burns, atëbotë zëvendëssekretar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën.

Në takim me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, Burns është zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Burns po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!