Presidenti Joe Biden theksoi të mërkurën se ka angazhuar agjenci të ndryshme qeveritare për të ndihmuar banorët e Floridës, Xhorxhias, Karolinës së Jugut dhe Karolinës së Veriut, shtete të cilat janë goditur nga uragani Idalia. Zoti Biden gjithashtu tha se ai nuk i ka harruar viktimat e zjarrit në Havai.
I përballur me valët e njëpasnjëshme të motit ekstrem, zjarret që dogjën një qytet historik në ishullin e Mauit dhe uraganit Idalia që shkaktoi përmbytje të mëdha, presidenti demokrat që po kandidon për një mandat të dytë u përpoq të siguronte banorët e prekur se administrata e tij do t’i ndihmojë ata.
Presidenti Biden tha se kishte folur me guvernatorët e Floridës, Xhorxhias, Karolinës së Jugut dhe Karolinës së Veriut, të ndikuara nga Idalia. Ai u informua mbi gjendjen në këto shtete nga Deanne Crisëell, udhëheqësja e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, dhe e udhëzoi atë të takohej të enjten me guvernatorin republikan Ron DeSantis për të filluar vlerësimin e dëmeve nga uragani dhe nevojat e njerëzve atje.
Ron DeSantis, kandidat për president në zgjedhjet paraprake të partisë republikane, dhe Presidenti demokrat Joe Biden janë përplasur muajt e fundit mbi politikat sociale konservatore të guvernatorit të Floridës. Por Presidenti Biden tha se nuk kishte asnjë gjurmë të politikës në bisedat e tij me guvernatorin lidhur me pasojat e stuhisë.
“Unë e di se kjo duket e çuditshme”, tha zoti Biden, duke vënë në dukje se sa partiake është bërë politika.
“Unë mendoj se ai i beson gjykimit tim dhe dëshirës sime për të ndihmuar, dhe besoj se ai mund të sugjerojë se kjo nuk ka të bëjë me politikën”, tha presidenti Biden. “Kjo ka të bëjë me kujdesin për njerëzit e shtetit të tij.”
Uragani Idalia goditi qytetin Keaton të Floridës në orën 7:45 të mëngjesit me erëra të forta që arritën shpejtësinë prej 200 kilometrash në orë. Idalia u dobësua në një stuhi tropikale me erëra prej 113 kilometrash pasditen e së mërkurës, duke goditur edhe shtetet e Xhorxhias, Karolinës së Jugut dhe Karolinës së Veriut.
Presidenti Biden njoftoi gjithashtu se 95 miliardë dollarë fonde infrastrukturore do të shkojnë në Maui për të ndihmuar në forcimin e rrjetit elektrik dhe për të instaluar teknologji që mund të paralajmërojnë njerëzin për rreziqe të ndryshme edhe në rastet kur ka ndërprerje të energjisë elektrike.
Disa njerëz në ishull, shtëpitë e të cilëve u dogjën janë ankuar se autoritetet nuk i kanë lejuar të kthehen në pronat e tyre. Presidenti Biden bëri thirrje për durim, duke shpjeguar se materiali i rrezikshëm duhet të hiqet përpara se njerëzit të kthehen atje.
“Dua të jem i qartë me njerëzit e Maui-t se çfarë duhet të presin. Puna që po bëjmë do të marrë kohë, në disa raste shumë kohë”, tha ai.
Presidenti amerikan Joe Biden tha gjithashtu se askush nuk mund ta mohojë se bota po përballet me një krizë klimatike, pasi uragani Idalia goditi rajonin Big Bend të Floridës, duke detyruar evakuimin e miliona banorëve.
“Askush nuk mund të mohojë më ndikimin e krizës klimatike”, u tha Presidenti Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Shikoni se si përmbytjet historike, thatësirat më intensive, nxehtësia ekstreme, zjarret e mëdha kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.”
Presidenti Biden e ka bërë luftën kundër ndryshimit të klimës një qëllim të rëndësishëm të presidencës së tij, duke vendosur një objektiv për të përgjysmuar emetimet në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030 dhe duke miratuar qindra miliarda dollarë kredi tatimore për të nxitur përdorimin e makinave elektrike.
Disa ligjvënës republikanë, duke përfshirë guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, kandidat në zgjedhjet paraprake të republikanëve për president, vazhdojnë të kundërshtojnë një sërë masash që synojnë frenimin e emetimit të gazeve të dëmshme.
DeSantis në maj nënshkroi një ligj gjithëpërfshirës që ndalon zyrtarët shtetërorë të investojnë para publike për të nxitur fushatat për mbrojtjen e mjedisit dhe programeve sociale.
Kandidati republikan për president, Vivek Ramasëamy e quajti “agjendën e klimës” një “mashtrim” gjatë debatit të javës së kaluar mes kandidatëve republikanë.
Administratorja e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, Deanne Crisëell të mërkurën nuk pranoi të fajësonte ndryshimet klimatike për stuhinë, por tha se agjencia e saj po shihte një rritje të fortë të numrit të ngjarjeve të motit ekstrem.
Të martën, ajo u tha gazetarëve se stuhitë ekstreme janë pjesë e një “normaliteti të ri” me të cilin po përballen amerikanët, duke shtuar se investimet miqësore ndaj mjedisit dhe masat e tjera parandaluese janë kritike në përgatitjet për stuhitë e ardhshme./VOA/