Biden: Ukraina gëzon mbështetjen e patundur të Amerikës

schedule18:33 - 3 Prill, 2021

schedule 18:33 - 3 Prill, 2021

Presidenti Joe Biden i ofoi Ukrainës mbështetjen e patundur të Amerikës në këtë periudhë të shkallëzimit të tensioneve mes Ukrainës dhe Rusisë në vijën kufitare. Presidenti amerikan e shfrytëzoi telefonatën e parë me Presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski të premten për të diskutuar situatën në rajonin e Donbasit.

Ukraina, vendet perëndimore dhe NATO-ja kanë shprehur shqetësim për përforcime trupash ruse të dërguara rishtazi pranë këtij rajoni në lindje të Ukranës, ku veprojnë grupe separatiste pro-ruse. Ata e akuzojnë Kremlinin se po përpiqet për t’u dhënë zemër separatistëve që të zgjerojnë territorin që kanë marrë nën kontroll që në 2014.

“Presidenti Biden riafirmojë mbështetjen e patundur të Shteteve të Bashkuara për integritetin territorial të Ukranës përballë agresionit të vazhdueshëm rus në Donbas dhe Krime,” thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Por të premten Kremlini u kundërpërgjigj me tone më kërcënuese duke thënë se Rusia mund të ndërmarrë “hapa shtesë” nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja shtojnë praninë e tyre pranë kufirit rus në përgjigje të situatës në Ukrainën lindore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov e akuzoi Ukrainën se po kryen “provokime të përsëritura” në rajon dhe tha se situata është “vërtetë e frikshme në vijën e kontaktit”.

Më herët këtë javë, Rusia tha se shkallëzimi i tensioneve në Donbass mund “të shkatërrojë” Ukrainën dhe paralajmëroi kundër dislokimit të forcave të NATO-s.

Konflikti mes Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë mori zjarr në 2014, pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe u doli në krah grupeve separatiste në lindje të Ukrainës./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!