Biden takoi Papa Françeskun: Është personi që më mësoi shumë për katolicizmin

schedule08:46 - 1 Nëntor, 2021

schedule 08:46 - 1 Nëntor, 2021

Gjatë një fjalimi të dielën, presidenti Biden shfrytëzoi rastin për të reflektuar mbi marrëdhënien e tij të ngushtë me Papa Françeskun, duke lavdëruar udhëheqësin katolik si “një person që i ka qëndruar afër gjatë vdekjes së djalit të tij, shkruan CNN

“Papa është një person i ndjeshëm,” u tha Biden gazetarëve. “Dhe tek ai ndjej ngushëllim të madh. Ai është një njeri i denjë.”

Presidenti dhe Papa zhvilluan 90 minuta bisedë të premten në një seancë që ndërthuri anët zyrtare dhe personale të liderit më të devotshëm amerikan në dekada. Më pas, Biden tha se Françesku i kishte thënë se ishte i lumtur që ishte një “katolik i mirë” dhe se ai duhet të vazhdojë të marrë kungimin, pavarësisht kundërshtimit nga disa peshkopë konservatorë amerikanë për mbështetjen e tij për abortin, raporton abcnews.al

Takimi zgjati dy herë më shumë se takimi që Biden mbajti me Papa Gjon Palin II si senator i ri. Ndërsa Shtëpia e Bardhë tha më pas se ata diskutuan tema si ndryshimi i klimës dhe Covid-19, Biden u tha gazetarëve se ai diskutoi “shumë gjëra personale” me Papën.

Të dy burrat ishin shumë të afërt gjatë takimit të tyre. Madje ata shkëmbyen dhurata. Në një moment, Biden i dha Françeskut një monedhë të veçantë me një rëndësi të madhe personale : ajo mbante shenjat e Brigadës 261 të Sinjalit, njësia e Gardës Kombëtare të Delaware, në të cilën djali i tij i ndjerë shërbeu si kapiten.

Ai shpjegoi se monedhat u jepen “luftëtarëve dhe udhëheqësve” dhe e quajti Françeskun “luftëtarin më domethënës për paqen që ka takuar ndonjëherë”. Kur Biden u zgjodh president,  Papa e telefonoi “për ti thënë se e vlerësonte faktin që ai do të fokusohej tek të varfrit dhe tek nevojat e personave me të prekur”.

/abcnews.al