Biden takohet me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy

schedule09:03 - 2 Shkurt, 2023

schedule 09:03 - 2 Shkurt, 2023

Presidenti Joe Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy u takuan ballë për ballë të mërkurën për më shumë se një orë për të diskutuar mbi buxhetin.

Udhëheqësi i ri republikan tha se “takimi i parë ishte i mirë”, ndërkohë që pritshmëritë janë të ulta. Ligjvënësit republikanë po kërkojnë shkurtime të mëdha buxhetore me qëllim arritjen e një marrëveshje për të parandaluar një krizë lidhur me rritjen e tavanit të borxhit kombëtar. Presidenti Biden u ka rezistuar negociatave të drejtpërdrejta për buxhetin që ka lidhje jetike me rritjen e tavanit ligjor të huamarrjes, duke paralajmëruar futjen e mundshme të ekonomisë në kaos.

Zoti McCarthy shkoi në takimin në Shtëpinë e Bardhë duke hapur debatin përpara afatit të borxhit në verë. Ai tha se takimi me Presidentin Biden kishte qënë më mirë nga sa kishte pritur. Ata kanë rënë dakord që të takone përsëri, ndërsa zoti McCarthy tha se pret të dëgjojë së shpejti nga zoti Biden. “Asnjë marrëveshje, asnjë premtim përveçse ne do ta vazhdojmë këtë bisedë”, tha zoti McCarthy për gazetarët në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Ai pohoi se i kishte thënë presidentit se nuk do të rriste tavanin e borxhit pa lëshime nga demokratët. “Isha shumë i qartë. Ne nuk do të shpenzojmë më shumë vitin e ardhshëm sesa kemi shpenzuar këtë vit”, tha ai.

Zoti McCarthy tha se presdenti këmbënguli për një votim të kufirit të huamarrjes pa shkurtime buxhetore të kërkuara nga republikanët. “Të dy kemi këndvështrime të ndryshme për këtë, por mendoj se ky ishte një takim i mirë”, tha zoti McCarthy. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve ranë dakord për vazhdimin e bisedimeve.

/VOA