Biden-Salmanit: Mendova se ke gisht në vrasjen e Khashoggi-t, reagon e fejuara: Njollose duart me gjak

schedule22:33 - 15 Korrik, 2022

schedule 22:33 - 15 Korrik, 2022

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili ndodhet në Arabinë Saudite, ka diskutuar me Princin e Kurorës edhe për çështjen e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Lajmin e ka konfirmuar ministria e Jashtme saudite.

“I thashë Mohammed bin Salmanit se besoja se ai ishte personalisht përgjegjës për vrasjen e Khashoggi-t”, tha Biden pas bisedimeve në Jeddah me princin e kurorës.

Ky i fundit u përgjigj se në fakt nuk ishte personalisht përgjegjës për vrasjen e gazetarit. Presidenti amerikan shtoi se me bashkëbiseduesin e tij ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të njeriut dhe nevojën për reforma politike .

“E bëra të qartë se çështja është me rëndësi jetike për mua dhe Shtetet e Bashkuara”, u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi.

Megjithatë, më herët, e fejuara e Khashoggit, Hatiche Cengiz, u shpreh në Twitter se Biden i ka njollosur duart me “gjakun e viktimës së radhës” të princit saudit të kurorës. Duke imagjinuar se çfarë do të kishte shkruar partneri i saj, Cengiz iu drejtua Bidenit me postimin e mëposhtëm:

“Kështu i mbani përgjegjës përgjegjësit për vrasjen time? Gjaku i viktimës së radhës të MBS-së (inicialet e Mohammed bin Salman) është në duart tuaja”. /abcnews.al/