Presidenti i SHBA Joe Biden ka deklaruar se autoritetet amerikane po shqyrtojnë mundësinë e bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 që do të mbahen në Pekin të Kinës.
“Kjo është diçka që ne po shqyrtojmë,” u tha ai gazetarëve përpara bisedimeve me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se bojkoti diplomatik, nënkupton se asnjë zyrtar amerikan nuk do të dërgohet për të marrë pjesë në lojëra. Vendimi vjen pas rritjes së tensioneve në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Ndërkohë të hënën Biden zhvilloi një bisedë me homologun e tij të kinës Xi Jinping.
Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësja e Biden, Jen Psaki tha se udhëheqësit e SHBA dhe Kinës nuk diskutuan për Lojërat Olimpike gjatë takimit të tyre virtual tre-orësh.
Ndërkaq thirrja për bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike është bërë nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë, si një mjet për të protestuar kundër abuzimeve kineze të të drejtave të njeriut.
Një bojkot diplomatik nuk do të prekte atletët, por zonja Psaki tha se SHBA është ende duke finalizuar, se cila do të jetë praniae tyre në lojëra, të cilat do të fillojnë më 4 shkurt./abcnews.al