Biden planifikon një ndryshim rrënjësor në reagimin për koronavirusin

schedule22:23 - 10 Nëntor, 2020

schedule 22:23 - 10 Nëntor, 2020

Ekspertët paralajmërojnë një ndryshim rrënjësor në strategjinë mbi luftën kundër pandemisë së koronavirusit me zgjedhjen e Joe Bidenit në detyrën e presidentit.

Ka të ngjarë të jetë e organizuar mirë, të ketë një komunikim të qartë e të bazohet tek shkenca. Këto janë tre ndryshime shumë të rëndësishme e të reja“, thotë Thomas Frieden, ish-kreu i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) si dhe president i organizatës jofitimprurëse që trajton çështje të shëndetit “Vendosmëri për të shpëtuar jetë”.

Prej fillimit të pandemisë vendi ka regjistruar rreth 240 mijë viktima. Sipas universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara renditen të shtatët në botë për sa i takon numrit të vdekjeve për frymë.

Shumë shkencëtarë fajësojnë Presidentin Donald Trump për keqmenaxhim. Pas nëntë muajsh, kohë gjatë së cilës zoti Trump minimizoi rrezikun që paraqet pandemia, minimizoi rëndësinë e maskave, mbështeti trajtimeve të paprovuara e të rrezikshme kundër koronavirusit si dhe zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë një aktivitet ku besohet se virusi u shpërnda në masë, ekspertët e shëndetit publik duken të çliruar për shkak të mesazheve të hershme që po jep ekipi i tranzicionit i zotit Biden.

Zoti Trump ka këmbëngulur se SHBA “po merr kthesën” duke e marrë veten nga pandemia edhe pse rastet janë rritur në mënyrë dramatike në të gjithë vendin.

Gjatë një tubimi fushate në Florida muajin e kaluar zoti Trump tha se “nën udhëheqjen e tij po prodhohet një vaksinë e sigurt dhe se do të garantohet shërimi i shpejtë i popullatës.

Asnjë vend në botë nuk e ka marrë veten në atë mënyrë se si jemi rimëkëmbur ne”, shtoi ai.

Sfida që kemi pasur është se administrata në shumë mënyra ka qenë shumë kundër shkencës“, thotë Georges Benjamin, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Amerikane të Shëndetit Publik. “Por tashmë do të kemi një përgjigje të orientuar nga shkenca“.

Zoti Biden ka bërë të ditur se pandemia është një nga katër çështjet kryesore që ai planifikon të trajtojë menjëherë pas marrjes së detyrës, së bashku me rimëkëmbjen e ekonomisë, çështjen e barazisë racore dhe ndryshimin e klimës.

Fakti që kjo është diçka që po merret seriozisht është shumë e ndryshme nga ajo që pamë gjatë administratës Trump, kur kjo ishte diçka që u shmang, pasi mendohej se nuk ishte një problem i madh“, thotë Amesh Adalja, studiues në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.

Zoti Biden ka zgjedhur një ekip ekspertësh me njohuri të thella dhe të gjera mbi sëmundjet infektive dhe shëndetit publik.

Grupi i këshilltarëve ka tre bashkëdrejtues mes tyre doktor David Kessler i cili ka drejtuar Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave nën presidentët George H.W. Bush dhe Bill Clinton. Doktor Vivek Murthy ish-këshilltar i presidentit për politikat shëndetësore nga viti 2014 në 2017 si dhe doktoreshë Marcella Nunez-Smith një ndër studiueset kryesore mbi qasjen e barabartë në sistemin shëndetësor.

“Ata po përpiqen të vendosin shkencëtarët dhe ekspertët në qendër”, thotë Adriane Casalotti e Shoqatës Kombëtare të ekspertëve lokalë të Shëndetit.

Ekipi i këshilltarëve përfshin gjithashtu një ish-zyrtar të administratës se zotit Trump i cili u përplas me presidentin lidhur me trajtimin e koronavirusit.

Rick Bright drejtonte Autoritetin e Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar në Biomjekësi. Ai u mënjanua nga roli që luante pasi kundërshtoi përpjekjet e zotit Trump për të reklamuar ilaçin kundër malarias, hidroksiklorokinën, si një trajtim kundër COVID-19-s.

Ilaçi ka rezultuar joefektiv kundër koronavirusit në një varg studimesh, përfshirë edhe atë më të fundit të botuar të hënën.

Disa anëtarë të ekipit të këshilltarëve kanë përvojë në çështje të shëndetin publik global, përfshirë Dr. Eric Goolsby, i cili ishte koordinator global mbi SIDA-n në administratën Obama. Në kushtet e një pandemie globale, thotë zonja Casalotti “ne duhet të jemi partnerë për të adresuar pandeminë në të gjitha anët”.

Mes anëtarëve me përvojë në fushën e shëndetit public janë Dr. Julie Morita, e cila siç vëren zonja Casalotti ka shërbyer në role kryesore në Departamentin e Shëndetit Publik të Çikagos për gati dy dekada.

Zonja Morita aktualisht është nënkryetare ekzekutive e Fondacionit Robert Wood Johnson.

Si të gjitha strukturat e tranzicionit presidencial, grupi i këshilltarëve nuk ka autoritet për të marrë vendime. Anëtarët do të punojnë për hartimin e një plani për zoti Biden për t’u zbatuar pas inaugurimit të tij më 20 janar.

“Shumë nga problemet që kemi pasur deri më tani lidheshin me faktin se nuk kishte një planifikim domethënës e me ndikim”, thotë zoti Benjamin drejtori ekzekutiv i Shoqatës Amerikane të Shëndetit Publik.

Gjatë 10 javëve të ardhshme shton ai administrata e zotit Biden “mund të bëjë bashkë ekipin e saj, të caktojë rolet dhe ata të nisin nga puna”./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!