Pas dy atentateve në dy muaj ndaj ish presidentit Donald Trump, kandidat në garën presidenciale të nëntorit, Shtëpia e Bardhë propozon një reformë të Shërbimit Sekret të Sigurisë. Në një deklaratë të shkurtër, presidenti Joe Biden kërkoi nga kongresi të rishikojë shtimin e personelit të këtij shërbimi.
“Shërbimi ka nevojë për më shumë mbështetje. Mendoj se Kongresi duhet të shqyrtojë mundësinë për të rritur shërbimet. Ne duhet të diskutojmë nëse është e nevojshme të rritet numri i personelit. Ata duhet të vendosin nëse kanë vërtet nevojë për më shumë staf”, tha Trump.
Ndryshe nga atentati i mëparshëm në Pensilvani ndaj Trump, në incidentin e fundit, duket se Shërbimi Sekret ka vepruar shpejt, duke e kapur të dyshuarin. Por, megjithatë niveli i mbrojtjes që u jepet kandidatëve presidencialë në SHBA vlen të diskutohet.
Pas ngjarjes të së dielës, fushata e Trumpit mund të përpiqet ta ripërqendrojë debatin në çështjet që lidhen me ligjin dhe rendin, si dhe në kërcënimet për dhunë politike, ndoshta edhe duke u përpjekur të fajësojë kundërshtarët për përgjegjësi në nxitjen e armiqësive.
Por rivalja demokrate e Trump Kamala Harris shkroi në një reagim pas ngjarjes se dhuna nuk duhet të ketë vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam thellësisht e shqetësuar nga atentati i kryer për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump. Ndërsa mbledhim të gjitha faktet mbi këtë çështje, dua të jem e qartë, unë e dënoj këtë dhunë politike. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për të siguruar që ky incident të mos çojë në përshkallëzim të dhunës.”, tha ajo.
Vetë Trump falenderoi Shërbimet Sekrete Amerikane për mbrojtjen e ofruar, ndërsa deklaroi se kur një politikan është i dashur nga populli, kriminelët do të qëllojnë. Që pas debatit presidencial me Harris, kur demokratja dukshëm doli fituese, disa deklarata të Trumpit si ajo për emigrantët nga Haiti hanë kafshë shtëpiake në Ohio nxitën komente negative nga shumë amerikanë./abcnews.al