Sipas CNN, FBI po monitoron lajme të kërcënimeve të ndryshme në lidhje me presidentin e zgjedhur Joe Biden në prag të ceremonisë së betimit në 20 janar. Sipas FBI ka kërcënime dhe kundër zv/presidentes së zgjedhur Kamala Harris dhe kryetares së dhomës së përfaqësuesve Nensi Pelozi. Por Biden ka bërë të ditur se nuk ka aspak frikë që të betohet në një ambient të hapur.
Pas sulmit në Capitol Hill të një jave më parë, nga ana e mbështetësve të Trump, tensionet janë ende të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas New York Times, janë më shumë se 150 personat që kanë përfunduar në objektivin e FBI dhe departamentit amerikan të drejtësisë për sulmin në Capitol Hill.
E përditshmja flet për kërkime personash të përfshirë n nivel kombëtar dhe analistët e shërbimit të inteligjencës po hetojnë ndër të tjera për një përfshirje të mundshme të organizatave terroriste kombëtare apo të huaja në sulm, që sipas të dhënave duket se ka qenë i mirë-organizuar.
Biden nga ana e tij përpiqet të qetësojë situatën duke konfirmuar se nuk ka frikë të betohet në ambient të hapur në Uest Front të Capitol Hill, vendi ku tradicionalisht zhvillohet ceremonia e betimit të presidentit të ri. Ai e bëri këtë deklaratë teksa mori dozën e dytë të vaksinës anti Covid.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se në prag të betimit të Bajden, Tramp pranoi kërkesën e kryebashkiakut Muriel Bouser dhe miratoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për Uashingtonin. Në këtë mënyrë eshtë urdhëruar asistenca federale që nga 12 janari e deri në 24 janar për të garantuar sigurinë. Por diçka ka nisur të lëvizë dhe në rrjetet sociale, Twitter bëri të ditur se ka mbyllur më shumë se 70 mijë profile të lidhura me teoritë e konspiracionit të ekstremit të djathtë dhe sulmit në Capitol Hill./abcnews.al