Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka njoftuar përfundimin e “misionit luftarak” në Irak dhe fillimin e një “faze të re” të bashkëpunimit ushtarak midis Uashingtonit dhe Bagdadit.
Biden dhe Kryeministri Irakian Mustafa al-Qadimi kanë nënshkruar zyrtarisht një marrëveshje që do t’i japë fund misionit luftarak të SHBA-së deri në fund të vitit 2021, më shumë se 18 vite pasi trupat amerikane u dërguan në vend.
Pas vendimit për të tërhequr trupat e fundit amerikane nga Afganistani në fund të gushtit, presidenti demokrat po i jep fund misioneve luftarake amerikane në dy luftërat e filluara nga ish presidenti George W. Bush gjatë mandatit të tij.
Biden dhe Kadimi u takuan për herë të parë në Zyrën Ovale si pjesë e një dialogu strategjik midis dy vendeve.
“SHBA do të vazhdojë të ndihmojë vendin dhe do të ballafaqohet me Shtetin Islamik kur të jetë e nevojshme, por ne nuk do të jemi në një mision luftarak deri në fund të vitit,” tha Biden.
Presidenti i SHBA-së shtoi se të dy vendet do të vazhdojnë gjithashtu bashkëpunimin e tyre në luftën kundër terrorizmit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu planifikojnë të dërgojnë doza vaksinash anti-Covid në Irak./abcnews.al