Biden i vetëdijshëm për problemet e moshës: Kandidoj për rizgjedhje në 2024 për të mbrojtur demokracinë nga Trump

schedule09:47 - 19 Shtator, 2023

schedule 09:47 - 19 Shtator, 2023

Presidenti i SHBA-se Joe Biden tha të hënën se është i vetëdijshëm për shqetësimet për moshën e tij, por theksoi se ai po kandidon për rizgjedhje në 2024 për të mbrojtur demokracinë, të cilën Donald Trump dëshiron ta “shkatërrojë ” .

“Shumë njerëz duket se fokusohen në moshën time. Unë e kuptoj por më besoni, unë e di këtë më mirë se kushdo”, u tha Biden, 80 vjeç, mbështetësve në një mbledhje fondesh për fushatën në Nju Jork.

“Unë po kandidoj sepse demokracia jonë është në rrezik. Sepse në 2024 do të votojmë sërish për të ardhmen e demokracisë. Dhe unë dua që të mos ketë asnjë dyshim: Donald Trump dhe mbështetësit e tij republikanë janë të vendosur të shkatërrojnë demokracinë amerikane. Dhe unë gjithmonë do të mbroj dhe do të  luftoj për demokracinë tonë”,  theksoi Biden.

Sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve e konsiderojnë Biden shumë  të moshuar për të kandiduar sërish për presidencën amerikane. Fushata zgjedhore e presidentit demokrat fokusohet në lajmet pozitive të ekonomisë amerikane dhe planet e tij ambicioze për rimëkëmbjen e prodhimit industrial.

Megjithatë, deri më tani ai nuk ka arritur të vendosë në plan të dytë shqetësimet e amerikanëve për moshën. Dhe vetë Trump po përballet me pyetje të shumta për moshën e tij, pasi tashmë është 77 vjeç.

Në një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv NBC, ai vlerësoi se problemi i Bidenit nuk është mosha e tij, por “paaftësia e tij”. Sondazhet e fundit tregojnë se megjithëse diferenca në moshë mes dy burrave nuk është e madhe, amerikanët janë më të shqetësuar për Biden./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!