Biden është rikthyer, por jo Amerika 

schedule10:11 - 23 Qershor, 2021

schedule 10:11 - 23 Qershor, 2021

Nga Carl Bildt, Project Syndicate

Amerika është rikthyer në skenën globale. Ky ishte mesazhi kryesor që u përpoq të përcillte presidenti amerikan Joe Biden gjatë udhëtimit të tij të parë në Evropë që nga marrja e detyrës në janar të këtij viti.

Por ndërsa vetë Biden i është ribashkuar udhëheqësve globalë – pasi ka shërbyer më parë si zëvendëspresident në dy administratat e Barack Obama – politikat e dikurshme të SHBA-së mund të mos kenë të njëjtën mundësi për t’u rikthyer.

Sot jetojmë në një botë tjetër në krahasim me vetëm disa vjet më parë. Tensionet gjeopolitike janë në rritje, dhe bashkëpunimi mbi sfidat e përbashkëta është më urgjent se kurrë më parë. Në veçanti shfaqja e Kinës si një fuqi globale, ka ngjallur një frikë të madhe gati ekzistenciale në SHBA, gjë që ka çuar në një rivlerësim të politikave të Uashingtonit.

Të bërit një krahasim midis Udhëzuesit të Përkohshëm Strategjik të Sigurisë Kombëtare të administratës Biden të i bërë publik në muajin mars, dhe Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të vitit 2015 publikuar kur Joe Biden ishte zëvendëspresident, ofron një ilustrim të shkurtër por kuptimplotë të logjikës së këtij rivlerësimi.

Strategjia e vitit 2015 i kushtonte një vëmendje të madhe Kinës, duke theksuar për shembull se SHBA-ja do të “monitoronte nga afër modernizimin ushtarak dhe zgjerimin e ndikimit të Kinës në Azi”. Ndërsa udhëzuesi i fundit e vë theksin tek “rivaliteti në rritje” i Amerikës me një front dhe “gjithnjë e më agresiv” të Kinës.

Ai propozon një strategji për t’iu kundërvënë ngritjes së Pekinit. “Kjo agjendë do të forcojë përparësitë tona më të qëndrueshme, dhe do të na japë mundësi të dominojmë në konkurrencën strategjike me Kinën apo ndonjë komb tjetër”-thuhet ndër të tjera në dokument.

Administrata e Biden ka të drejtë të punojë për të forcuar konkurrencën ekonomike të Amerikës, dhe forcuar infrastrukturën e saj fizike dhe kapitalin e saj njerëzor. Kjo është në interesin e të gjithë botës. Por nëse SHBA-ja dëshiron të konkurrojë në mënyrë efektive me Kinën, ajo duhet të shohë përtej kufijve të saj dhe larg drejt së ardhmes.

Aktualisht, rivaliteti SHBA-Kinë po luhet kryesisht në fushën ekonomike, pasi PBB-ja e Kinës vazhdon të rritet, dhe udhëheqësit e saj po ecin me vendosmëri përpara për të krijuar marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta tregtare dhe në fushën e investimeve me vendet dhe rajonet në të gjithë botën.

Kina është tashmë një superfuqi tregtare, me më shumë se 100 vende të botës që kanë një volum tregtar të paktën dy herë më të madh sesa me SHBA-në. Shkalla me të cilën po zgjerohet Kina, do të shkojë shumë larg drejt përcaktimit të shkallës së ndikimit politik të këtij vendi.

Dhe nëse janë një lloj treguesi udhëzimet e fundit të administratës së Biden, Kina do të përballet me pengesa relativisht të pakta për të arritur qëllimet e saj. Në vitin 2015, SHBA-ja kishte një politikë tregtare me perspektivë, e cila kërkonte që të formësonte sistemin tregtar global të së ardhmes.

Për shembull, Strategjia e Sigurisë Kombëtare pranoi faktin se nisma si Partneriteti i Trans-Paqësorit dhe Partneriteti i Tregtisë dhe Investimeve Transatlantike, do t’i jepte mundësi SHBA-së që të vendoste “standardet më të larta në botë për të drejtat e punës dhe mbrojtjen e mjedisit”, të hiqte pengesat për eksportet e SHBA-së, dhe ta vendoste këtë vend “në qendër të një zone të tregtisë së lirë që përfshin 2/3e ekonomisë globale”.

Sot, as TPP dhe as TTIP nuk janë funksionale, të paktën jo me SHBA-në si anëtare e tyre. Vizioni i administratës Obama për sistemin global të tregtisë, u shkatërrua nga administrata e Donald Trump, me filozofinë e saj tregtare merkantiliste.

Por zhgënjimi i vërtetë është se Joe Biden nuk duket i etur që ta ringjallë atë vizion. Në vend të kësaj, administrata e tij duket se po ndjek një qasje mbrojtëse dhe të vjetër ndaj tregtisë globale, e cila ngjan më shumë me atë të Trump sesa të Obamës.

Është e vërtetë:Gjatë udhëtimit të tij në Evropë, Biden dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord mbi një “armëpushim”5-vjeçar në lidhje me mosmarrëveshjen e tyre tregtare 17-vjeçare mbi subvencionet ndaj kompanive prodhuese të avionëve.

Por ai nuk hoqi tarifat e vendosura nga Trump për çelikun dhe aluminin evropian. Ai dhe homologët e tij evropianë, po thonë se janë “duke punuar për arritjen e një marrëveshje”. Por edhe nëse arrijnë një të tillë, ajo nuk do të pasqyrojë asgjë të afërt me vizionin dhe ambicien që motivoi të dyja palët gjatë negociatave mbi TTIP në vitin 2015.

Pra, kur bëhet fjalë për tregtinë, SHBA nuk është “rikthyer” aspak në skenën globale. Dhe Kina nuk po humb asnjë minutë kohë për të përfituar nga kjo situatë, për ta rritur më tej profilin e saj tregtar. Ajo ka luajtur një rol kyç në arritjen e marrëveshjes më të madhe në botë të tregtisë së lirë, Partneritetin Ekonomik Rajonal Gjithëpërfshirës (CPTPP), që përfshin 15 vende të rajonit të Azi-Paqësorit.

Po ashtu, Kina ka shpallur synimin e saj për t’u bashkuar me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit, që u nënshkrua nga 11 vende kur SHBA u largua prej saj.

Në fillim të këtij muaji, anëtarët e CPTPP ranë dakord që të fillojnë negociatat e pranimit në këtë marrëveshje të Britanisë së Madhe. Edhe BE – që ka nënshkruar marrëveshje tregtare me këto vende – duhet të marrë në konsideratë bashkimin me këtë pakt.

Se çfarë do të sjellin përpjekjet e vazhdueshme tregtare të Kinës, kjo gjë mbetet për t’u parë. Por është më se e qartë, se udhëheqësit kinezë e kuptojnë rëndësinë jetike që kanë lidhjet tregtare të vendit të tyre me ndikimin global të kinës. Udhëheqësit e Amerikës duhet ta mësojnë sërish këtë leksion, për të mirën e amerikanëve por edhe të evropianëve.

Shënim: Carl Bildt ka qenë ministër i jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014 dhe kryeministër në vitet 1991-1994. Ai është bashkëkryetar i think-tankut “European Council of Foreign Relations”.