Nga David Satte, The Wall Street Journal
Presidenti amerikan Joe Biden u përgjigj me “Po” javën e kaluar kur u pyet nëse beson se Vladimir Putin është një “vrasës”. Ky është një hap i parë drejt adresimit të hapur të problemit të krimeve të kryera nga Kremlini, që do t’i mbrojë rusët në rrezik shtypjeje dhe do të forcojë gjithashtu sigurinë e SHBA-së.
Administratat amerikane kanë kohë që hezitojnë të tërheqin vëmendjen mbi krimet e regjimit në Rusi. Në shkurtin e vitit 2017, në një intervistë për Fox News, presidenti Donald Trump iu përgjigj pyetjes nëse Putin ishte një vrasës, me sugjerimin se liderët amerikanë nuk janë më të mirë se ai.
“Bota ka shumë vrasës, ne kemi shumë vrasës. Ju mendoni se vendi ynë është kaq i pafajshëm?”- i tha ai gazetarit. Trump u kritikua shumë për atë moment. Por gatishmëria e zyrtarëve amerikanë për t’i injoruar krimet e Rusisë ka qenë në të dyja kampet.
Kur presidenti rus Boris Jetsin sulmoi parlamentin me tanke më tetor 1993, Sekretari amerikan i Shtetit Warren Christopher e përgëzoi atë për fitoren. Pavarësisht nga lidhjet e Putinit me njerëz që kanë lidhje me krimin e organizuar, presidenti Bush tha në vitin 2001 se e kishte “parë Putinin në sy” dhe “ishte në gjendje të kuptonte një lloj shpirtbutësie të tij”.
Në korrikun e vitit 2009,presidenti Obama e përshkroi Putinin si “të sinqertë, të ndershëm dhe thellësisht të interesuar për interesat e popullit rus” – me gjithë helmimin me polonium në vitin 2006 të ish-agjentit rus Alexander Litvinenko në Londër.
Një hetim zyrtar britanik, zbuloi se Putin ishte ndoshta përgjegjës personalisht për helmimin e tij. Në një farë mase, kur bëhet fjalë për Rusinë, udhëheqësit amerikanë janë sipërfaqësorë, nga frika se çfarë mund të ndodhë pas një përpjekje serioze për të mësuar të vërtetën.
Por si garantuese e stabilitetit botëror, SHBA-ja e ka për detyrë të ketë informacione të plota mbi krimet e udhëheqësve rusë. Rusia drejtohet nga rreth 100 individë, që kontrollojnë 35 për qind të pasurive të vendit. Në kushtet kur ata nuk kontrollohen nga askush, ka shumë pak kufij mbi veprimet që ata mund të bëjnë kundër botës.
SHBA-ja duhet të bëjë çdo përpjekje për të kuptuar dhe ekspozuar krimet ruse, sidomos mbi 3 raste. Së pari, ne kemi nevojë të dimë të vërtetën në lidhje me vrasjen më 27 shkurt 2015 të Boris Nemtsov, udhëheqësit më të rëndësishëm demokratik të Rusisë, që u qëllua për vdekje në Urën Bolshoi Moskvoretsky pranë Kremlinit.
Varianti zyrtar është se ai u qëllua nga Zaur Dadaev, ish oficer në forcat ushtarake ruse me banim në Çeçeni pa asnjë lloj lidhje me Nemtsov. Katër të pandehur të tjerë, dyshohet se kanë ndihmuar në kryerjen e krimit. Regjimi e promovoi me ngulm këtë version, dhe SHBA-ja e pranoi në heshtje atë.
Megjithatë,Asambleja e Parlamentin Evropian citoi prova se Nemtsov ishte viktimë e një operacioni të zbatuar nga regjimi – përfshirë praninë e të dyshuarve mbi urë në momentin e vrasjes, të cilët nuk u morën kurrë në pyetje, zhdukjen e filmimeve nga të gjitha kamerat e sigurisë aty pranë dhe përgjimin e Nemtsov, që mund të ishte kryer vetëm nga një shërbim i inteligjencës.
Ekonomisti rus, Andrei Illarionov, bëri publike në media prova se Nemtsov u qëllua nga 2 armë të ndryshme, dhe jo nga 1 siç u pretendua në gjyq, dhe se pamjet filmike konfirmonin se Dadaev nuk ishte tek ura kur u vra Nemtsov. Nemstov është një hero për shumë rusë; dhe vendi ku ai u vra është bërë një objekt pelegrinazhi.
Por ai ishte gjithashtu i rëndësishëm edhe për SHBA-në, pasi ishte një nga dy kundërshtarët e vetëm të Putinit, që ishte i aftë për të thirrur një turmë njerëzish në protestë. Tjetri është Alexei Navalny, i burgosur kohët e fundit pasi u helmua vitin e shkuar.
Por ndryshe nga Navalny, Nemtsov ishte një kundërshtar i nacionalizmit rus dhe i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. SHBA-jai detyrohet demokratëve rusë për çdo përpjekje që kanë bërë për të identifikuar ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij.
Ndërkohë, ne duhet të dimë se cila është e vërteta për rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines Flight më17korrik 2014, ku gjetën vdekjen 298 njerëz. Kur avioni u rrëzua në Ukrainën Lindore, regjimi i Putinit bëri një përpjekje për dezinformim, për të krijuar përshtypjen se ai u rrëzua aksidentalisht nga separatistët.
Por provat tregojnë se ngjarja ishte inskenuar sërish nga Kremlini. Një gjykatë holandeze vërtetoi se raketa Buk-M1 që goditi MH17 ishte çuar në Ukrainë nga Brigada e 53-të Ruse e raketave anti-ajrore. Sipas një raporti nga “Radio Liberty”, raketa shoqërohej nga oficerë të inteligjencës ruse.
Në një intervistë dhënë në maj të vitit 2020 për revistën“Times” të Londrës, lideri separatist Igor Girkin mohoi çdo lloj përfshirje në atë tragjedi. I pyetur nëse po akuzonte Rusinë, Girkin tha “Njerëzit mund ta interpretojnë si të duan!”.
Ajo çka është veçanërisht e trishtë mbi rrëzimin e MH17, është fakti se ai ka qenë pjesë e një strategjie politike. Sapo u rrëzua avioni, Putin telefonoi menjëherë Obamën,duke përmendur rrezikun që u kanosej avionëve të pasagjerëve civilë, dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund ofensivës ukrainase që po përparonte me shpejtësi në territorin e kontrolluar nga separatistët.
Në 10 ditët në vijim, ai kreu 24 telefonata me udhëheqësit perëndimorë, me të njëjtin synim në mendje. Së fundmi, ne na duhet e vërteta rreth sulmeve më bomba në apartamentet e disa qyteteve ruse në shtator 1999, të cilat çuan në një pushtim të ri të Çeçenisë, dhe e ngjitën Putinin në pushtet.
Më shumë se 300 njerëz u vranë në shpërthimet e fuqishme në 4 godina. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, 3 agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë, FSB, u kapën duke vendosur një bombë të pestë në bodrumin e një ndërtese në Riazan.
Bomba, e ç’aktivizuar para se të shpërthente përmbante heksogjen, një eksploziv i përdorur në të 4 shpërthimet. Dëshmi të tjera përgjatë viteve tregojnë përfshirjen e FSB në ato ngjarje. SHBA nuk e ngriti kurrë pyetjen se përse agjentët e FSB u kapën duke vendosur një bombë në bodrumin e një godine banimi.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright,refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth këtyre ngjarjeve në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, duke thënë vetëm se “aktet e terrorit nuk kanë vend në një shoqëri demokratike”.
Rusia fajësoi për shpërthimet rebelët çeçenë. Në qoftë se nuk zbardhet e vërteta, terrori mund të bëhet nga tani e tutje mënyra sesi pushteti ndërron duart në Rusi. Shumë kritikë të Rusisë përqendrohen tek korrupsioni, që është i lehtë për t’u kuptuar.
Por rreziku më i madh që regjimi i Putin paraqet për botën, është një mentalitet që e trajton vrasjen si një pjesë normale të jetës politike. Koncepti mbi qeniet njerëzore si vegla plotësisht të shfrytëzueshme zë fill që në komunizëm, me zhdukjen e pronës private dhe shndërrimin e individit në pronë të shtetit.
Kjo ide është e ngulitur në mendjet e liderëve rusë. Rusia i është përgjigjur deklaratës së zotit Biden, duke kërcënuar me një “degradim të pakthyeshëm të marrëdhënieve” midis 2 vendeve. Por rruga drejt marrëdhënieve më të mira, kalon nga kuptimi nga ana e udhëheqësve rusë se pjesa tjetër e botës është e vendosur t’u vërë kufij krimeve të tyre.
Presidenti Biden duhet që të ndryshojë dekadat e praktikës politike të Shteteve të Bashkuara,dhe të veprojë sipas njohjes që ai ka mbi rolin e Vladimir Putin. Nëse Joe Biden nuk e bën këtë, krimi tjetër i sundimtarit rus është vetëm çështje kohe. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al