Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në Konferencën për Paqen në Ukrainë, e cila pritet të mbahet në Zvicër në mes të qershorit. Data ende nuk është caktuar, por disa media këtë javë raportuan 16 dhe 17 qershor si datat më të mundshme.
Autoritetet zvicerane deri më tani nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj konference apo përgatitjeve për mbajtjen e saj.
Zvicra njoftoi më 15 janar se kishte rënë dakord të organizonte një konferencë paqeje në Ukrainë gjatë një vizite në vend nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u takua atje me homologen e tij zvicerane Viola Amhert.
Zelensky më pas i ishte referuar një samiti dhe kishte përjashtuar menjëherë mundësinë që Rusia të mund të merrte pjesë në të. Por Zvicra, e cila dëshiron të ruajë neutralitetin e saj, preferoi t’i referohej një “Konference të Nivelit të Lartë për Paqen në Ukrainë” dhe po përpiqet të tërheqë Kinën dhe fuqitë e tjera midis ekonomive në zhvillim për të marrë pjesë.
Ministri i Jashtëm zviceran Ignacio Cassis u përpoq gjithashtu të kontaktojë Moskën në një takim në janar në Nju Jork me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Megjithatë, Rusia konsideron se Zvicra ka humbur neutralitetin e saj duke miratuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian./abcnews.al