Biden, diskutim virtual për pandeminë me guvernatorët e shteteve

schedule08:14 - 20 Nëntor, 2020

schedule 08:14 - 20 Nëntor, 2020

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden sulmoi presidentin Trump të enjten për mos pranimin e humbjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe për bllokimin e ekipit të tij të tranzicionit nga qasja në informacionet e qeverisë në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

“Është e vështirë të kuptohet se si mendon ky njeri”, tha Biden për Presidentin Donald Trump. “Unë kam besim se ai e di që nuk ka fituar; ai nuk do të jetë në gjendje të fitojë dhe ne do të bëjmë betimin më 20 janar”, tha Biden. “Nuk ngre dyshime për motivin e tij. Është thjesht fyese ajo që ai po bën”.

Biden foli me gazetarët pas një takimi virtual me 10 guvernatorë shtetesh nga të dyja partitë, domokratë e republikanë.

Ish-nënpresidenti amerikan vuri në dukje se spitalet në të gjithë vendin po shohin një rritje të rasteve me Covid-19 përpara Ditës së Falënderimeve dhe Krishtlindjes, duke vendosur “presion të madh” mbi spitalet dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe “duke i dhënë një goditje të re masive ekonomive tuaja.”

Biden i tha udhëheqjes ekzekutive të Shoqatës Kombëtare të Guvernatorëve: “Ju keni nevojë për ndihmë dhe unë dua që ju të dini se unë do të jem partneri juaj në Shtëpinë e Bardhë.”

Qindra mijëra infeksione të reja po regjistrohen në Shtetet e Bashkuara çdo ditë dhe numri i të vdekurve ka arritur në mbi 250 mijë, shifra me lartë se në çdo vend tjetër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Menjëherë pas komenteve të zotit Biden, në Uilmington të Delauerit, anëtarët e grupit të punës për koronavirusin hynë në dhomën e koferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Nënpresidenti Mike Pence dhe anëtarët e tjerë të grupit punës shprehën optimizëm rreth vaksinave të ardhshme.

“Ndihma është në rrugë e sipër”, tha nënpresidenti Pence.

“Qendroni me ne”, tha Sekretari i Departamentit të Shëndetit, Alex Azar. “Kemi një rreze drite në fund të tunelit.”

Dr. Deborah Birx, koordinatorja e grupit të punës, kishte një mesazh më të menjëhershëm ndërsa miliona amerikanë përgatiten të udhëtojnë për Ditën e Falënderimeve javën tjetër.

“Kjo është me të vërtetë një thirrje për veprim për çdo amerikan për të rritur vigjilencën e tyre”, tha ajo. Birx vuri në dukje se tani kemi një rritje më të shpejtë të rasteve të koronavirusit “sesa ato që kishim parë më parë”.

Dhjetëra ekspertë të shëndetit publik të enjten i kërkuan administratës Trump që të lejonte procesin e tranzicionit presidencial të fillojë zyrtarisht në përballjen me pandeminë, duke u dhënë zyrtarëve të ardhshëm të Biden-it qasje në informacionet që qeveria ka përpiluar në lidhje me furnizimet mjekësore dhe vaksinat që janë duke u zhvilluar.

Letra e zyrtarëve shëndetësorë iu dërgua administratores së Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy e cila ende nuk ka nënshkruar dokumentet që shpallin zotin Biden fitues të zgjedhjeve, një veprim që do të lejonte fillimin zyrtar të tranzicionit.

Trump ende nuk ka pranuar fitoren e zotit Biden. Si rezultat, Trump nuk po lejon zotin Biden, i cili është gati të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, që të shoh raportet qeveritare të inteligjencës mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare që vendi mund të përballet ose t’u japë ndihmësve të zoti Biden qasje në ndërtesat e agjencive qeveritare./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!