Presidenti amerikan Joe Biden dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë zhvilluar një bisede telefonike për situatën në Afganistan, ofrimin e ndihmës humanitare si edhe evakuimin e njerëzve atje.
Shtëpia e Bardhë njofton se të dy udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë planin e ndihmës në takimin e ardhshëm të G7, takim i cili do të mbahet online, shkruajnë mediat e huaja.
Lexo edhe: SHBA akuza talebanëve: S’po mbajnë premtimet, afganët s’po lejohen të largohen
Për situatën në Afganistan ka pasur reagime të ndryshme në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane.
Më herët prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani ishte e pashmangshme, por fakti që nuk u parashikua se si do të rridhnin ngjarjet ishte një dështim nga udhëheqja amerikane.
“Për fat të keq tani ne e gjejmë veten në një situatë ku talebanët janë në kontroll. Nuk e dimë nëse ata do të ndërmarrin një seri veprimesh hakmarrëse kundër organizatave të gazetarëve dhe grave progresiste. Kështu që duhet të përgatitemi për më të keqen”, është shprehur prof. Phillips për Zërin e Amerikës.
Ndërsa presidenti dhe themeluesi i organizatës Eurasia Group Ian Bremmer, e konsideron “tragjik” faktin që administrata e Presidentit Biden bëri vlerësimin e duhur se forcat amerikane duhet të tërhiqeshin nga Afganistani, por “gaboi rëndë” në ekzekutim.
/abcnews.al/