Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar definicionin e fjalës “astronaut”.
Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se me rregullat e reja, astronautë janë ata persona, të cilët janë pjesë e ekipit fluturues dhe kontribuojnë në sigurinë e fluturimeve hapësinore.
Kjo nënkupton që Jeff Bezos dhe Richard Branson, mund të mos jenë astronautë në sytë e Qeverisë amerikane.
Këto janë ndryshimet e para që ka bërë kjo Administratë nga viti 2004.
Përditësimet janë bërë të ditura të martën – të njëjtën ditë kur pronari i kompanisë Amazon, Jeff Bezos është nisur drejt hapësirës me raketën e kompanisë së tij, Blue Origin.
Për t’u kualifikuar si astronautë komercialë, ata që shkojnë në hapësirë duhet të udhëtojnë 80 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, që gjë kanë bërë Bezos dhe Branson.
Mirëpo Administrata Federale e Aviacionit ka përcaktuar se astronautët duhet të “demonstrojnë aktivitete gjatë udhëtimit, të cilat janë thelbësore për sigurinë publike, apo të kontribuojnë në sigurinë e fluturimit hapësinor”.
Se kush hyn në listën e astronautëve përcaktohet nga zyrtarët e kësaj Administrate.
Zyrtarë të aviacionit kanë thënë se ndryshimet synojnë të garantojnë sigurinë publike gjatë fluturimeve komerciale në hapësirë.
Më 11 korrik, Richard Branson ka udhëtuar me pajisjen e kompanisë së tij Virgin Galactic në hapësirë, duke kryer udhëtimin e parë si test, në mënyrë që konsumatorët të mund të bëjnë udhëtime tjera vitin e ardhshëm.